Në prag të vitit të ri akademik, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka mbajtur një takim me rektorët e universiteteve publike dhe jopublike. Ajo e vuri theksin tek krijimi i një oferte akademike tërheqëse dhe konkurruese për studentët vendas dhe të huaj.
“Jemi përpara fillimit të vitit të ri akademik. Nga gjithë procesi i regjistrimit në universitete nëpërmjet qendrës sonë dhe portalit të universiteteve është mundësuar që të kemi në kohë reale një rishikim edhe riorganizim të kuotave dhe i kemi realizuar ato sipas kërkesave tuaja. Ajo çfarë është e rëndësishme dhe në programin që qeveria ka ndërtuar për dhënien e bursave në masën e pagës minimale të studentëve që zgjedhin programe prioritare, është pikërisht lidhja e programit me tregun e punës”, u shpreh ministrja.
Gjatë takimit me rektorët u vu theksi tek thellimi i procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve dhe krijimi i një oferte më tërheqëse për studentët vendas por edhe ata të huaj.
“Sigurisht që sfida më e madhe përgjatë gjithë këtyre viteve ka qenë dhe është ndërkombëtarizimi, afrimi sa më shumë i universiteteve tona me universitetet e huaja, për të ndërtuar programe të përbashkëta, për të pasur diploma dyfishe, për të bërë ofertën tonë të arsimit të lartë sa më shumë atraktive, jo vetëm për studentët tanë, por gjithashtu edhe për studentë të huaj”, tha Manastirliu.
Në këtë takim u diskutua gjithashtu për krijimin e një dokumenti të ri politikash për arsimin e lartë.
