Nga sot e deri më 10 shtator, pranë zyrave arsimore do të jetë e hapur thirrja për profesionistët që të bëhen pjesë e programit “Pas Shkolle” që ka prezantuar Ministria e Arsimit.
Të gjithë profesionistët që përmbushin kriteret e përcaktuara mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e ekipit të trajnuesve.
Programi synon t’u ofrojë nxënësve mundësi për të mësuar, argëtuar dhe zhvilluar talentet e tyre përmes një sërë aktivitetesh, ndër të cilat “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, muzikë, teatër, kërcim, zeje, arte pamore dhe sport.
“Janë jo vetëm mësuesit që mund të marrin pjesë dhe të bëhen pjesë e listës së trajnerëve për Programin ‘Pas Shkolle’, por edhe mësues në pension, mësues që janë në listën e pritjes, madje edhe kolegë të tjerë që mund të jenë artistë, artizanë apo profesionistë në fushat që janë parashikuar në programin e ri tashmë të konsoliduar të ‘Pas Shkollës’”. Në arsimin fillor, programi do të përfshijë edhe mbështetjen për kryerjen e detyrave të shtëpisë, ndërsa aktivitetet e tjera do të fokusohen në artizanat, arte pamore, teatër, muzikë dhe sport”, bëri me dije Mirela Kumbaro.
Pagesa për çdo orë për trajnuesit është 1 000 lekë. Ky program synon edhe socializimin, edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve për të ndihmuar që ata të qëndrojnë larg ekraneve të pajisjeve teknologjike.
Programi i ri “Pas Shkolle” do të nisë zbatimin në një grup shkollash publike, duke krijuar mundësinë që nxënësit të qëndrojnë në mjediset shkollore edhe pas përfundimit të orarit të zakonshëm mësimor. Programi parashikon ndihmë për kryerjen e detyrave të shtëpisë për fëmijët e klasave 1-5, ndërsa për nxënësit nga klasa e parë deri në përfundim të arsimit të mesëm do të ofrohen klube të arteve dhe zejeve.
Ekofin.al publikoi disa ditë më parë ekskluzivisht listën e shkollave në Tiranë, ku do të aplikohen për herë të parë të dyja programet, si ai pas shkolle, ose after-school, ashtu edhe programi arte dhe zeje. /ekofin.al

