Moti i nxehtë i zgjatur po e riformëson peizazhin urban të Europës, pasi temperaturat mbi 32°C zgjasin deri në vjeshtë.
Ndërsa temperaturat globale vazhdojnë të rriten, qytetet evropiane po përjetojnë periudha ekstreme të nxehtësisë për më gjatë se muajt tradicionalë të verës. Sipas një studimi të ri nga organizata Climate Resilience for All, disa qytete në Europë tani përballen me temperatura të larta deri në pesë muaj në vit. Analiza, e udhëhequr nga ekipi meteorologjik i kësaj OJQ-je, shqyrtoi të dhëna të temperaturës nga viti 2019 deri në 2023 në 85 qytete në mbarë botën. Fokusi ishte te dita e parë dhe e fundit kur secili qytet shënonte 32°C – një prag që konsiderohet si nxehtësi ekstreme me rrezik të madh për shëndetin dhe mjedisin.
Studiuesit zbuluan se ashtuquajturat “sezone të nxehtësisë” nuk janë më të kufizuara në muajt e njohur si verë dhe tashmë zgjasin shumë më gjatë. Në mesatare, sezoni i nxehtësisë në qytetet e studiuara zgjat rreth 214 ditë, sipas ekipit të drejtuar nga klimatologu Dr. Larry Kalkstein. Në 20 nga 85 qytetet, ditët ekstremisht të nxehta janë regjistruar në çdo stinë të vitit.
Ku në Europë zgjat më shumë sezoni i nxehtësisë?
Në Europë, sezoni i nxehtësisë tani shtrihet përtej periudhës së zakonshme të verës. Studimi tregon se Athina, Greqi, ka një nga sezonet më të gjata të nxehtësisë në kontinent, me temperatura të larta për rreth 145 ditë, nga mesi i majit deri në fillim të tetorit. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, renditet e dyta me 143 ditë nxehtësi ekstreme. Në Portugali, Lisbona ka një sezon që zgjat rreth 136 ditë, ndërsa Madridi përjeton rreth 119 ditë, nga fundi i majit deri në mesin e shtatorit. Në Paris, autoritetet po përgatiten për një rritje prej 4°C, ndërkohë që qyteti tashmë përjeton gati tre muaj me temperatura mbi 32°C, nga mesi i qershorit deri në mes të shtatorit. Munihu dhe Varshava kanë sezone më të shkurtra, por gjithsesi të rëndësishme, që zgjasin rreth një ose dy muaj.
Pse janë problem sezonet më të gjata të nxehtësisë?
Hulumtimet e mëparshme kanë zbuluar se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu kanë shtuar mesatarisht 30 ditë nxehtësi ekstreme për rreth gjysmën e popullsisë së botës gjatë vitit të kaluar – duke ekspozuar rreth katër miliardë njerëz ndaj temperaturave të rrezikshme dhe të zgjatura. Një analizë nga World Weather Attribution, Climate Central dhe Qendra Klimatike e Kryqit të Kuq, që mbulon periudhën nga maji 2024 deri në maj 2025, tregoi se ndryshimet klimatike të paktën dyfishuan numrin e ditëve me nxehtësi ekstreme në 195 nga 247 vendet dhe territoret e shqyrtuara.
Europa është ndër rajonet që tashmë po përjeton pasojat më të dukshme dhe më vdekjeprurëse të ngrohjes globale. Periudhat e zgjatura të nxehtësisë janë një sinjal i qartë i ndryshimit të klimës dhe sjellin shqetësime serioze për shëndetin dhe infrastrukturën. Sezonet më të gjata nënkuptojnë rrezik më të madh për sëmundje të lidhura me nxehtësinë, çka rëndon sistemet shëndetësore dhe krijon sfida për popullatat vulnerabël, veçanërisht të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
“Kjo analizë e bën të qartë: nuk mund ta trajtojmë më nxehtësinë si pjesë normale të verës”, thotë Kathy Baughman McLeod, drejtoreshë ekzekutive e Climate Resilience for All. “Sezoni i verës që shumë prej nesh e njihnim, nuk ekziston më.”
Pse janë qytetet kaq të nxehta?
Studimi thekson efektin e “ishullit të nxehtësisë urbane”, ku qytetet bëhen më të nxehta se zonat rurale përreth për shkak të infrastrukturës së dendur dhe mungesës së hapësirave të gjelbra. “Qytetet që nuk janë projektuar për nxehtësi po përballen tani me goditje dhe stres të ri klimatik”, shpjegon Baughman McLeod.
Me sezonet e nxehtësisë që tashmë shtrihen përtej kufijve tradicionalë të verës, qeveritë dhe planifikuesit urbanë përballen me një sfidë urgjente: si të mbrohen njerëzit nga valët e të nxehtit që bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe të zgjatura? Ndërhyrjet për të zbutur ndikimet përfshijnë shtimin e gjelbërimit urban, përmirësimin e dizajnit të ndërtesave, krijimin e zonave freskuese dhe zhvillimin e sistemeve paralajmëruese. Por, sipas McLeod, planet dhe masat e shumë qeverive janë të papërshtatshme ose pothuajse inekzistente për përmasat e krizës.
“Është thelbësore të bëhet ndërgjegjësimi dhe kuptimi i nxehtësisë ekstreme pjesë e zakonshme e politikëbërjes, në mënyrë që qeveritë, bizneset dhe punëdhënësit të menaxhojnë rreziqet dhe ndikimet me urgjencën që kjo situatë kërkon.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
