Qeveria ka marrë sot vendim për përcaktimin e rregullave për zhvillimin e zonave aeroportuale në lidhje me ndikimet që mund të kenë në sigurinë në operim, ndërtimet e propozuara apo përdorimin e tokës në zonat e mbrojtura të aeroportit dhe jashtë tyre.
Sipas vendimit, zonë e mbrojtur e aeroportit është ajo që shtrihet në një rreze prej 15 km nga pika e referimit të aeroportit, e cila përcaktohet me koordinata në bazë të sistemit WGS- 84 për një aeroport, sipas informacionit të publikimit aeronautik shqiptar (AIP).
Leja për zhvillim apo ndërtim në zonat e mbrojtura të aeroportit do të merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU). Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit marrin mendimin e Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) për çdo praktikë aplikimi për leje zhvillimi, leje ndërtimi apo praktikë hartimi dokumentesh për planifikim të territorit, që përmban objekte, struktura apo instalime që ndodhen në zonat e mbrojtura të aeroportit.
Çdo objekt apo strukturë e planifikuar për ndërtim apo instalim në zonat e mbrojtura të aeroportit duhet që të marrë, sipas rastit, miratimin ose pëlqimin nga AAC-ja.
Autoriteti i Aviacionit Civil vlerëson brenda 10 ditëve nga kërkesa nëse zhvillimet apo ndërtimet e mundshme tërheqin botën shtazore.
Po kështu, AAC -ja përcakton nëse objektet apo strukturat e planifikuara për ndërtim në zonat e mbrojtura janë objekte të rrezikshme për shkak të vendndodhjes, lartësisë ose mungesës së shënimit apo ndriçimit të tyre. Për këtë qëllim, subjektet zhvilluese, të cilat marrin vlerësimin pozitiv nga AAC-ja, duhet të njoftojnë këtë të fundit për fillimin e punimeve dhe përfundimin e tyre.
AAC-ja shprehet brenda 30 ditëve nga dita e bërjes së kërkesës. Nëse nuk shprehet brenda 30 (tridhjetë) ditëve, kërkesa quhet e pranuar dhe pa vërejtje. Por në çdo rast, subjektet ndërtues duhet të ndjekin procedurën e përcaktuar në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, thuhet në vendim. Kundërvajtësit do të përballen me masat administrative ligjore.
Nga zbatimi i këtij vendimi që hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, përjashtohen aeroportet që përdoren ekskluzivisht për qëllime ushtarake. /ekofin.al
