Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit dokumentacionin për përfundimin e procesit të privatizimit dhe përllogaritjen e vlerës së pagesës për objektet e ish-ndërmarrjeve bujqësore për të cilat ka filluar procesi i privatizimit nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore.
Procedura për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore, për të cilat ka filluar ky proces, fillon vetëm me paraqitjen e kërkesës me shkrim nga subjektet e interesuara pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Kërkesa përmban identitetin e kërkuesit, të dhënat e objektit për të cilin kërkohet përfundimi i procesit të privatizimit, kopje të kontratës së shitjes (nëse ka), mandate të pagesave të vlerës së plotë apo të pjesshme të privatizimit (nëse ka), Akti i miratimit të privatizimit për objektin, kontratën e shitjes së truallit, mandatet e pagesës së vlerës së plotë të objektit / truallit.
Vendimi nuk zbatohet dhe procesi i privatizimit nuk kryhet, kur objekti është shembur dhe nuk ekziston ose objekti apo trualli nën objekt janë pjesë e një procesi gjyqësor, deri në marrjen e vendimit të formës së prerë. Procedura për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore, për të cilat ka filluar ky proces, fillon vetëm me paraqitjen e kërkesës me shkrim nga subjektet e interesuara pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Kërkesa përmban identitetin e kërkuesit, të dhënat e objektit për të cilin kërkohet përfundimi i procesit të privatizimit, kopje të kontratës së shitjes (nëse ka), mandate të pagesave të vlerës së plotë apo të pjesshme të privatizimit (nëse ka).
Për objektet, për të cilat janë shpalluar debitorë poseduesit aktualë, procesi i përfundimit të privatizimit vijon me pagesën e vlerës së plotë të objektit, sipas vlerës fillestare të kontabilizuar. Arkëtimi i pagesave të kësteve të mbetura nga vlera e privatizimit të objektit/truallit bëhet 100% në lekë. Ndërsa për debitorët privatë, për objektet ndërtimore të kontabilizuara, sipas vendimit nr.403, datë 15.8.1994, të Këshillit të Ministrave, “Për arkëtimin e detyrimeve financiare në ndërmarrjet në varësi të Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të NB-ve”, shlyejnë detyrimet, sipas parashikimit në pikën 1, të këtij vendimi.
Afati i pagesës së vlerës së kësteve të mbetura pa paguar është 30 (tridhjetë) ditë nga momenti i marrjes së faturës për arkëtim të lëshuar nga ministria përgjegjëse për bujqësinë.
Kur Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor, në territorin e së cilës ndodhet objekti, nuk e administron praktikën e privatizimit apo mungojnë akte ose dokumente, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pranon dokumentacionin origjinal nga subjekti i interesuar.
Subjekti paraqet deklaratë noteriale, nëpërmjet së cilës merr përsipër përgjegjësinë për origjinalitetin dhe vërtetësinë e dokumentacionit të dorëzuar, që nuk ka transferuar të drejtat te të tretët, si dhe që titulli i pronësisë nuk është shpallur i pavlefshëm me një vendim gjyqësor të formës së prerë, thuhet në vendim.
Për efekt regjistrimi, një kopje e kontratës dhe planvendosjes së objektit dhe truallit funksional të tij, kur është rasti, në origjinal, i përcillet drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, që ushtron aktivitetin në territorin ku ndodhet objekti i privatizuar. Regjistrimi në regjistrat kadastralë bëhet pas paraqitjes së kërkesës së subjektit përfitues, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe me aktet nënligjore në fuqi. /ekofin.al