Pas episodeve të përsëritura të mbeturinave që godasin periodikisht bregdetin kroat, çështja ka marrë sërish vëmendje publike në Dubrovnik.
Këtë herë, debatin e ka ringjallur këshilltarja bashkiake dhe avokatja Viktorija Knežević, e cila deklaroi se ka zhvilluar një “hetim të pavarur” për të kuptuar nëse Kroacia mund të padisë Shqipërinë për ndotjen detare që mbërrin në breg pas stuhive dhe erërave jugore.
Sipas Knežević, e cila citohet gjerësisht në mediat kroate, mundësia e një padie ndërkombëtare ekziston vetëm në teori, por në praktikë është pothuajse e pamundur të provohet përgjegjësia e një shteti të vetëm për mbeturinat që transportohen nga rrymat detare dhe era. “Mbeturinat në det vijnë nga shumë burime, kalojnë kufijtë dhe ndryshojnë drejtim. Juridikisht, është jashtëzakonisht e vështirë të provosh se një shtet i vetëm është ‘fajtori’. Kjo e ul ndjeshëm shansin për të fituar një proces,” u shpreh ajo.
Problemi, sipas këshilltares, është shumë më i madh sesa ajo që shihet në sipërfaqe. Vetëm 20% e mbeturinave që transportohen nga deti përfundon në plazh, ndërsa rreth 80% zhytet në fundin e detit, duke dëmtuar ekosistemin, peshkimin, turizmin dhe cilësinë e ujërave. Ajo thekson se valët e mbeturinave janë vetëm “maja e ajsbergut”, ndërsa pasojat reale ndodhen nën sipërfaqe.
Por ajo çfarë Knežević ngre me forcë është se mjetet ligjore dhe institucionale për të vepruar tashmë ekzistojnë. Nuk ka nevojë për konventa të reja apo procese të gjata gjyqësore – thotë ajo – por për aktivizimin e mekanizmave ndërkombëtarë që janë tashmë në fuqi.
Konventa e Barcelonës, ku Shqipëria dhe Kroacia janë palë, detyron vendet e Mesdheut të reduktojnë mbeturinat që përfundojnë në det. Kroacia, sipas këshilltares kroate, mund të kërkojë që Jadrani jugor të shpallet zonë prioritare, gjë që do të sillte fonde, vëmendje institucionale dhe presion më të madh ndaj vendeve burim të ndotjes.
Një tjetër instrument që përmend ajo është projekti Kroaci–Shqipëri nën kornizën e UNDP, i cili tashmë ekziston, por mund të zgjerohet për të adresuar rrjedhat lumore dhe deponitë problematike që konsiderohen si burime kryesore të mbeturinave që përfundojnë në det.
Në qendër të argumentit të saj qëndron një ide e qartë: Shqipëria është vend kandidat për BE – çka i jep Kroacisë një levë të fortë politike për të kërkuar rezultate të matshme në mbrojtjen e Adriatikut.
Knežević sjell shembuj ndërkombëtarë për të treguar se mekanizmat e bashkëpunimit funksionojnë nëse aktivizohen seriozisht: në Detin Baltik, vendet kanë ulur ndjeshëm ndotjen bregdetare përmes një plani të përbashkët; në lumin Ren, gjashtë shtete arritën të ulin ndotjen drastike duke zbatuar me rigorozitet marrëveshjet ekzistuese.
Ajo nënvizon se projektet e UNEP/MAP, kur zbatohen realisht, japin rezultate të matshme dhe se Adriatiku nuk është përjashtim.
“Këtë problem mund ta zgjidhim,” – thekson këshilltarja kroate – “duke përdorur me mençuri instrumentet ndërkombëtare që ekzistojnë. Sepse kjo mbeturinë nuk krijohet në Kroaci – por aty përfundon. Ndaj duhet që sistemi të aktivizohet më në fund në mbrojtje të bregdetit dhe qytetarëve tanë.”
Ky debat po rikthehet në një moment kur bashkëpunimi rajonal për mjedisin në Adriatik mbetet i brishtë, ndërsa Shqipëria përballet prej vitesh me sfida serioze për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe industriale, përfshirë deponitë e pakontrolluara dhe mungesën e filtrimit në lumenjtë kryesorë.
Për Shqipërinë, deklaratat nga Dubrovniku janë një kujtesë e qartë se ndotja që përfundon në det nuk është më vetëm problem i brendshëm, por po shndërrohet në një çështje rajonale me pasoja diplomatike, sidomos në prag të hapave të mëtejshëm të integrimit në BE.
