Bashkëpunimi mes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP) dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) ka hyrë në fazën konkrete të zbatimit, me nisjen e misionit të parë të ekspertëve ndërkombëtarë në Tiranë.
Ekspertët e UNOPS kanë nisur punën përkrah me ekipin e OBP-së, me synimin për të analizuar proceset aktuale të institucionit, për të shkëmbyer ekspertizë dhe për të identifikuar prioritetet që do të ndiqen gjatë muajve të ardhshëm.
Misioni nisi me një takim të përbashkët mes ekspertëve të UNOPS dhe përfaqësuesve të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, ku u dakordësuan objektivat, metodologjia e punës dhe hapat që do të ndërmerren në vijim.
Ky është hapi i parë konkret në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar mes OBP-së dhe UNOPS, e cila parashikon një projekt gjashtëmujor të mbështetjes teknike për modernizimin dhe forcimin e prokurimeve të përqendruara në Shqipëri.
Përmes projektit, ekspertiza ndërkombëtare e UNOPS do të përdoret për forcimin e kapaciteteve institucionale të OBP-së, përmirësimin e mekanizmave të brendshëm dhe rritjen e performancës së proceseve të prokurimit publik.
Në fokus të ndërhyrjes janë rritja e transparencës dhe efikasitetit, modernizimi i procedurave, forcimi i kapaciteteve profesionale të stafit dhe përafrimi i praktikave të prokurimit me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira.
Aspekt i rëndësishëmn i projektit pritet të jetë edhe përdorimi më i gjerë i teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në proceset e prokurimit publik. Objektivi është që teknologjia të ndihmojë në përmirësimin e proceseve të punës, shkurtimin e kohës së procedurave, rritjen e transparencës dhe përdorimin më efikas të fondeve publike.
Marrëveshja OBP–UNOPS synon që modernizimi të mos kufizohet vetëm në aspektin teknologjik, por të përfshijë edhe mënyrën e organizimit dhe funksionimit të institucionit, mekanizmat e kontrollit dhe zhvillimin profesional të stafit.
Në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes, Administratori i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Jonaid Myzyri, theksoi se bashkëpunimi krijon mundësinë që institucioni të integrojë praktikat më të mira ndërkombëtare në sistemet dhe proceset e tij.
Sipas Myzyrit, objektivi është modernizimi i proceseve dhe menaxhimi i fondeve publike sipas standardeve të larta të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies.
Me mbërritjen e ekspertëve të UNOPS në Tiranë, projekti kalon tashmë nga faza e marrëveshjes në atë të zbatimit. Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm pritet të identifikohen konkretisht proceset ku nevojiten ndërhyrje, mekanizmat që mund të përmirësohen dhe zgjidhjet teknologjike që mund të aplikohen në prokurimet e përqendruara. /ekofin.al
