Drejtues dhe pedagogë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës zhvilluan një vizitë zyrtare në Universitetin e Maltës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zgjerimit të partneriteteve akademike.
Delegacioni drejtohet nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike, Prof. As. Dr. Linert Lirëza dhe përbëhet nga një grup profesorësh.
Gjatë vizitës, palët diskutuan mbi mundësinë e nënshkrimit të një Marrëveshjeje Bashkëpunimi Ndërinstitucional (IIA), me qëllim intensifikimin e shkëmbimeve akademike në kuadër të programit Erasmus+. U theksua rëndësia e nxitjes së mobilitetit të stafit akademik dhe studentëve në fusha me interes të përbashkët.
Gjithashtu, u trajtuan mundësitë për zhvillimin e programeve të përbashkëta të studimit dhe projekteve kërkimore, me synimin për të promovuar standarde të larta akademike dhe për të nxitur ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.
Vizita u karakterizua nga një atmosferë bashkëpunuese dhe një vizion i përbashkët për të ardhmen, duke hedhur bazat për një partneritet të qëndrueshëm dhe produktiv ndërmjet dy institucioneve. Në vazhdimësi, Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka thelluar bashkëpunimet me disa universitete evropiane dhe ndërkombëtare, në funksion të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira.
