Qeveria ka vendosur në mbledhjen e datës 9 janar unifikimin e shpërblimeve për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Duke filluar nga 2025 do të ketë të tjera kritere për vlerësim shpërblimi deri në 3 paga, kurse përzgjedhja bëhet sipas 8 kritereve. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpërblen punonjësit e Policisë së Shtetit për rezultate të larta në kryerjen e detyrës, në përputhje me kriteret e përcaktuara për këtë qëllim. Masa e këtij shpërblimi është deri në 3 (tre) paga mujore në vit.
Kriteret për përfitimin e shpërblimit për rezultate të larta në kryerjen e detyrës janë:
Kryerja e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhja e situatave të jashtëzakonshme për rendin dhe sigurinë publike, pra që kanë shkallë vështirësie të lartë, e më tej parandalimi i ngjarjeve të rënda kriminale, si vrasje, akte terroriste, rrëmbim ose mbajtje peng të personit apo shkatërrimit të pronës me pasoja të rënda.
Gjithashtu kryerja e operacioneve për kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë apo autorëve të armatosur të veprave penale pas kryerjes së krimit (në kushtet e flagrancës), zbulimi, hetimi dhe arrestimi/ndalimi i autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, që kanë impakt në publik.
Po kështu kryerja e operacioneve policore të rëndësishme për hetimin dhe arrestimin /ndalimin e autorëve, që kanë kryer apo kapen në kryerje e sipër të veprave penale të krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik.
Një tjetër kriter është zbulimi, hetimi dhe arrestimi/ndalimi i grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale, kryerja e operacioneve të ndërhyrjes për shpëtimin e jetës së njerëzve, në kushtet e emergjencave civile dhe në fund kontributi i punonjësit të policisë në rritjen e standardeve të punës në fushën e rendit dhe sigurisë publike dhe në fusha të tjera të veprimtarisë policore, sipas rezultateve dhe objektivave.
“Titullarët e njësive shpenzuese, drejtorët e drejtorive qendrore, drejtuesit e departamenteve dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, bazuar në rezultatet e larta të arritura në kryerjen e detyrave, sipas kritereve të përcaktuara në pikën 12, të këtij vendimi, i propozojnë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shpërblimin e punonjësve, shoqëruar për çdo rast me një relacion shpjegues”, thuhet në VKM-në e sotme.
Masa e shpërblimit jepet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Një tjetër vendim i sotëm ka qenë ai për pagat e policëve, ku specifikohet se janë të ndara sipas gradave dhe vjetërsisë. Gjithashtu do të ketë llogaritje shtese page edhe për efektivët që punojnë në situata të vështira, kushte të vështira për shëndetin dhe në vende të largëta.
Por edhe për gradat e vogla ka pasur një vendim.
“Të gjithë punonjësit e rolit zbatues, që kanë pasur gradën “Inspektor i parë” dhe “Inspektor i dytë”, të cilët, për shkak të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, marrin gradën “Inspektor”, deri në datën 1 janar 2026, do të vijojnë të përfitojnë vlerën e pagës për gradë dhe të shtesave për natyrë të veçantë pune, sipas gradës dhe shtesave që kanë pasur deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi”, citohet në vendim.
Trajtime do të kenë edhe studentët e rinj të Policisë, ata që ndjekin arsimin brenda dhe jashtë vendit, apo që angazhohen paralelisht edhe në detyra gjatë arsimimit.
Pagesë do të përfitojnë edhe:
“Punonjësi i policisë, që nuk është efektiv me kohë të plotë në institucionet e sistemit arsimor policor, por bashkëpunon me këto institucione si punonjës i jashtëm, për çdo orë mësimore 60-minutëshe, përfiton një pagesë, si më poshtë vijon:
-Në kurset e formimit bazë për punonjësit me gradë “Inspektor”, në masën 600 (gjashtëqind) lekë/për orë;
-Në kurset e shkollimit/trajnimit për punonjësit e gradave “Nënkomisar” dhe “Komisar”, në masën 800 (tetëqind) lekë/për orë;
-Në kurset e shkollimit/trajnimit për punonjësit e gradave “Kryekomisar” deri në “Drejtues i Parë”, në masën 1000 (një mijë) lekë/për orë”, thuhet në vendim.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ndërsa hyn në fuqi menjëherë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.