Përmes një udhëzimi të ri të Ministrit të Financave, që është botuar në Fletore Zyrtare duke hyrë në fuqi, janë bërë disa saktësime dhe janë lehtësuar disa procedura që kanë të bëjnë me TVSH-në.
Dokumenti rregullon konceptin e personit të tatueshëm për qëllime të përcaktimit të vendit të furnizimit të shërbimeve. Në thelb, hiqet kushti që personi i tatueshëm duhet të jetë i identifikuar për TVSH, që të cilësohet person i tatueshëm.
Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, shpjegon për Ekofin.al se duke qënë se SHBA nuk kanë TVSH deri dje çdo biznes amerikan konsiderohej si person i patatueshëm dhe shërbimet që ofronin bizneset tona për to ngarkoheshin me TVSH, pra 20% më shumë se çdo shtet tjetër. Ky udhëzim sipas tij i jep zgjidhje më në fund një problemi të mbartur për shumë vite.
Tani personi i tatueshëm i huaj duhet vetëm të provojë nëpërmjet një vërtetimi nga autoritetet tatimore që është një biznes i regjistruar dhe që ushtron veprimtari ekonomike, në përputhje me nenin 3 “Personat e tatueshëm” të ligjit 92/2014 “Për TVSH në Shqipëri”.
Gjithashtu përmes udhëzimit janë krijuar lehtësi dhe janë përjashtuar nga TVSH-ja fondet e projekteve të huaja. Këto fonde, në faza të ndryshme, në rastet e blerjes së mallrave/furnizimeve nga implementuesit e këtyre projekteve ngarkoheshin me TVSH. Ndërsa tani, edhe ato, nga udhëzimi, do të jenë të përjashtuara nga TVSH.
Ndryshimet e nenit 63 të udhëzimit u referohen procedurave të përjashtimit në import dhe trajtimit si furnizim i përngjashëm me eksportet për marrëveshjet e donacionit/grantit.
Në zbatim të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 60, të ligjit, për qëllime të TVSH-së, trajtohet si furnizim i ngjashëm me eksportet, furnizimi i mallrave/shërbimeve, të destinuara për realizimin e projekteve të financuara me fonde të marra në bazë të një marrëveshjeje donacioni/granti, të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë/Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të huaj, nëse në marrëveshje është parashikuar se fondet e marra nuk do të përdoren për të paguar tatime në Shqipëri.
Regjistrimi i projektit nga zbatuesi ose përfituesi (nëse nuk ka zbatues) kryhen në Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Certifikata e Regjistrimit të Projektit përmban elementet, si: emërtimi i projektit, data e fillimit dhe data e përfundimit të projektit, të dhënat e zbatuesit/përfituesit (nëse nuk ka zbatues) të projektit, përfshirë NIPT/NUIS, si dhe Kodin Unik të Identifikimit të Projektit, të lëshuar nga Agjencia për këtë qëllim.
Zbatuesi/përfituesi (nëse nuk ka zbatues) në momentin që blen mallra/shërbime të nevojshme për realizimin e projektit, paraqet te furnizuesi (shitësi) i tyre certifikatën e lëshuar nga DRT-ja, me qëllim që këto blerje të mos ngarkohen me TVSH.
Furnizuesi, në faturat që lëshon për këto lloj subjektesh duhet të pasqyrojë dispozitën e ligjit, konkretisht shkronja “c”, pika 1, neni 60, sipas së cilës ky furnizim do të trajtohet si furnizim i përngjashëm me eksportet, me shkallë tatimore të TVSH-së zero për qind. Gjithashtu, në këto fatura duhet të pasqyrohet Kodi Unik i Identifikimit të Projektit, i përcaktuar në certifikatën e lëshuar nga Agjencia dhe numri i certifikatës përkatëse të lëshuar nga DRT-ja.
Për realizimet e projektit përmes kontraktorit, ky i fundit dorëzon pranë DRT-së ku është i regjistruar një kopje në gjuhën shqipe të noterizuar të kontratës së nënshkruar me zbatuesin/përfituesin, si dhe kopje të certifikatës së lëshuar nga Agjencia për zbatuesin/përfituesin (nëse nuk ka zbatues).
DRT-ja regjistron në një regjistër të veçantë kontraktorin.
Procedura
Nëse kontraktori nuk është subjekt i detyruar të regjistrohet për TVSH-në, sipas kërkesave të ligjit për TVSH-në, DRT-ja, brenda 5 (pesë) ditëve pune, lëshon certifikatën për efekt të trajtimit si furnizim i përngjashëm me eksportet, sipas formularit 7A, pjesë integrale e këtij udhëzimi, ku evidentohet se kontraktori nuk është i detyruar të regjistrohet për TVSH-në.
Kjo certifikatë është e vlefshme deri në përfundimin e kontratës. Në rast se gjatë periudhës së realizimit të kontratës, kontraktori plotëson kushtet për t’u regjistruar për TVSH-në, atëherë ai detyrohet të njoftojë DRT-në, e cila e pajis kontraktorin me certifikatën ku është përditësuar përgjegjësia e tij tatimore si subjekt i regjistruar për TVSH-në.
Certifikata gjithashtu i mundëson kontraktorit të blejë mallra/shërbime në funksion të realizimit të kontratës së projektit pa TVSH. Kontraktori, në momentin që blen mallra/shërbime të nevojshme në funksion të realizimit të projektit, paraqet këtë certifikatë te furnizuesi (shitësi). Furnizuesi i mallrave/shërbimeve për kontraktorin, duhet të pasqyrojë në faturë Kodin Unik të Identifikimit të Projektit, të përcaktuar në certifikatën e lëshuar nga Agjencia dhe numrin e certifikatës së lëshuar nga DRT-ja.
Kontraktori, në faturat që lëshon për zbatuesin/përfituesin (nëse nuk ka zbatues), duhet të pasqyrojë dispozitën e ligjit, konkretisht shkronja “c”, pika 1, neni 60, sipas së cilës ky furnizim do të trajtohet si furnizim i përngjashëm me eksportet, me shkallë tatimore të TVSH-së zero për qind, Kodin Unik të Identifikimit të Projektit, të përcaktuar në certifikatën e lëshuar nga Agjencia, si dhe numrin e certifikatës së lëshuar nga DRT-ja.
Për blerjet e kryera në funksion të realizimit të projektit, qofshin këto blerje me normë standarde apo të reduktuar të TVSHsë, kontraktori gëzon të drejtën e zbritjes së TVSH-së dhe të rimbursimit të saj.
Raste përjashtimore dhe rimbursimi i TVSH-së
Përjashtimisht, për të gjitha mallrat/shërbimet e destinuara për realizimin e projekteve objekt i këtij neni, për të cilat është paguar TVSH-ja përpara pajisjes me Certifikatë për Regjistrimin e Projektit sipas përcaktimeve të udhëzimit, si dhe në marrëveshjet e ratifikuara nga Kuvendi ose të miratuara nga Këshilli i Ministrave është parashikuar se, mospërdorimi i burimeve financiare të huaja për të paguar tatime (TVSH) bëhet efektiv edhe nëpërmjet mekanizmit të rimbursimit, TVSH-ja e paguar rimbursohet.
Rimbursimi që kryhet në këto raste nuk i nënshtrohet analizës së riskut dhe kontrolli tatimor për këtë qëllim nuk është i detyrueshëm përpara rimbursimit. Me përjashtim të rasteve kur TVSH-ja e paguar përballohet si kosto lokale nga përfituesi vendës i projektit, institucion buxhetor, çdo procedurë për rimbursimin e TVSH-së kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe përfundon brenda 30 (tridhjetë) ditëve, përfshirë edhe rimbursimin e shumave nga strukturat përgjegjëse të Thesarit.
Në këto raste, subjekti që ka paguar TVSH-në për mallrat/shërbimet në kuadër të zbatimit të projektit, i drejtohet Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në DPT me një kërkesë për rimbursim, së bashku me dokumentacionin shoqërues të përcaktuar në udhëzim./ekofin.al
