Botohet në Fletoren Zyrtare udhëzimi i përbashkët i ministrit të Brendshëm dhe Ekonomisë për procedurën e re të miratimit të lejes unike për të huajt që punojnë në vend.
Procedura përmes AKPA-së zbatohet për një gamë të gjerë kategorish, nga punëmarrësit dhe të vetëpunësuarit te punonjësit stinorë, punëtorët e shtëpisë, personat që vijnë për formim profesional, punonjësit e transferuar brenda ndërmarrjes, punonjësit me kualifikim të lartë, sportistët, vullnetarët dhe personat që ofrojnë shërbime kontraktuale.
Një procedurë më e drejtpërdrejtë parashikohet për shtetasit amerikanë dhe familjarët e tyre, shtetasit e vendeve të zonës Shengen që nuk janë anëtare të BE-së dhe që qëndrojnë ligjërisht në Shqipëri, si dhe shtetasit e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për këto kategori, kërkesa trajtohet vetëm nga struktura vendore e kufirit dhe migracionit, ndërsa AKPA siguron të dhënat për të punësuarit përmes sistemit elektronik.
Punëdhënësi duhet të deklarojë pagën, orarin dhe punën e natës
Pjesa që prek drejtpërdrejt bizneset është formulari standard i ofertës së punësimit që shoqëron procedurën. Punëdhënësi duhet të japë të dhëna të hollësishme për kontratën, pozicionin dhe detyrat, orët javore të punës, pagën bruto mujore, ditët e pushimit dhe format e tjera të kompensimit.
Nëse puna kalon 40 orë në javë, duhet të përcaktohen orët shtesë të pritshme dhe mënyra e shpërblimit. E njëjta kërkesë vlen edhe kur puna kryhet gjatë intervalit 22:00–06:00, ku punëdhënësi duhet të specifikojë kompensimin për punën e natës. Në formular duhet të deklarohet gjithashtu data maksimale mujore e pagesës së pagës përmes bankës, si dhe nëse punëdhënësi mbulon akomodimin dhe ushqimin.
Formulari kërkon edhe informacion se si është kryer rekrutimi, drejtpërdrejt nga punëdhënësi apo përmes një agjencie të licencuar punësimi, si dhe të dhëna mbi kualifikimet, arsimin, certifikimet profesionale dhe gjuhët që kërkohen për pozicionin.
Punëtori i huaj nuk duhet të paguajë kostot e rekrutimit
Formulari sanksionon detyrimin e punëdhënësit për të konfirmuar se oferta e punës nuk përmban kushte më pak të favorshme se ato që u ofrohen punonjësve shqiptarë në të njëjtin pozicion. Punëmarrësit duhet t’i jepet gjithashtu një kopje e ofertës në anglisht ose e përkthyer.
Për më tepër, punëdhënësi duhet të konfirmojë shprehimisht se punëmarrësi nuk do të paguajë asnjë tarifë apo kosto të lidhur me procesin e rekrutimit, ndërmjetësimit ose punësimit. Sipas formularit, kostot që lidhen me rekrutimin mbulohen nga punëdhënësi, në përputhje me legjislacionin në fuqi./ekofin.al
