Çdo transaksion në para fizike në një vlerë të barabartë ose më të madhe se 1 milion lek ose kundërvlera në monedha të tjera të huaja, të kryer si një transaksion i vetëm ose si transaksione të lidhura me njëra-tjetrën do të deklarohen.
Detyrimin për deklarim të këtyre transaksioneve e kanë të gjitha subjektet bankare, përfshirë edhe jobankat, zyrat e këmbimit valuator, shërbimet postare që kryejnë shërbime pagesash; bursat dhe çdo subjekt tjetër (agjent, broker, shoqëri komisionere etj.), shoqëritë e sigurimit etj.
Udhëzimi i ministrit të Financave “Për mënyrën dhe procedurën për zbatim nga subjektet e përfshira në veprimtari financiare”, i cili është botuar në Fletore Zyrtare dhe ka hyrë tashmë në fuqi, orienton në kuadër të luftës kundër financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave të gjithë subjektet të cilat duhet të mbledhin informacion, mbi bazën e të cilit duhet të krijojnë profilin e rrezikut të klientit.
Sipas udhëzimit, subjektet duhet të mbledhin dokumentacion mbi burimin e fondeve dhe mundësive financiare të klientit si: kontrata punësimi; vërtetim page; kontrata shitblerjeje apo qiraje, të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme etj. Gjithashtu mund të shfrytëzojnë burime të hapura për klientët, si kërkimet në faqet Web nëpërmjet platformave të internetit, mediave të shkruara apo audiovizive, pasqyrat financiare për subjektet tregtare.
Përveç kësaj, subjektet verifikojnë të dhënat dhe informacionin e marrë në kuadër të vigjilencës së duhur, përfshirë të dhënat e strukturës së pronësisë ligjore dhe pronësisë përfituese, për klientët e tyre, jo më pak se: a) 1 herë në vit për klientët me rrezik të lartë; b) 1 herë në 3 vjet për klientët me rrezik të mesëm; c) 1 herë në 5 vjet për klientët me rrezik të ulët.
Ligji i detyron subjektet të raportojnë tek autoriteti përgjegjës, brenda ditës pasardhëse të punës nga data e kryerjes së të gjitha transaksioneve në para fizike, në një vlerë të barabartë ose më të madhe se 1 milion lek, ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja, kryer si një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura me njëra-tjetrën brenda 24 orëve.
Nga ky detyrim përjashtohen transaksionet që kryhen nga organet apo ndërmarrjet publike.
Për më tepër, subjektet duhet të krijojnë një sistem të centralizuar i cili të mundësojë regjistrimin, si kontrollin e të dhënave dhe transaksioneve në kuadër të marrëdhënies së biznesit me klientin. Të gjitha transfertat brenda apo jashtë vendit mbi 100 mijë lekë duhet të raportohen në sistem.
Në kuadër të vigjilencës, afati për ruajtjen e dokumenteve është 5 vjet nga data e transaksionit rastësor, por jo më shumë se 40 vjet nga data e secilit transaksion apo data e mbledhjes së dokumentacionit apo kryerjes së analizës.
Gjithashtu, subjektet financiare raportojnë aktivitetin e dyshimtë për rastet kur e dinë apo dyshojnë se po kryhet, apo po tentohet pastrimi i produkteve të veprës penale, apo financimi i terrorizmit, apo fondet e përfshira rrjedhin nga veprimtari kriminale. Raportimi bëhet me anë të formularit (RAD) menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë.
Për kontrollin e zbatimit të këtij udhëzimi ngarkohet autoriteti përgjegjës, Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF). /ekofin.al
