Udhëheqësit e vendeve të NATO-s shprehën mbështetjen për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% dhe rikthesuan angazhimin e tyre për të mbrojtur njëri-tjetrin nga sulmet, siç e përcakton neni 5 i Traktatit.
Në samitin e sotëm të mbajtur në Hagë, u miratua objektivi për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2034, një përgjigje ndaj kërkesës së presidentit amerikan Donald Trump dhe frikës së evropianëve se Rusia përbën një kërcënim për sigurinë e tyre pas pushtimit të Ukrainës.
“Ne riafirmojmë angazhimin tonë të hekurt për mbrojtjen kolektive siç është sanksionuar në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve.”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Shifra 5% përfshin 3.5% të PBB-së që duhet të shpenzohet për mbrojtjen bazë, si trupat dhe armët, dhe 1.5% shtesë për infrastrukturë kritike të lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë, për të garantuar “gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë civile, nxitjen e inovacionit dhe forcimin e bazës industriale të mbrojtjes.”
Këto investime konsiderohen të nevojshme për të adresuar “kërcënimet e thella të sigurisë”, siç deklaruan udhëheqësit përmes deklaratës së përbashkët, duke theksuar në veçanti “kërcënimin afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike”, si dhe “kërcënimin e vazhdueshëm të terrorizmit”.

