Uber ka bërë të ditur se do të zgjerojë partneritetin me kompaninë kineze Pony AI (Pony.ai), për të sjellë më shumë se 2,000 robotaksi në Evropë.
Njoftimi vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë kompani po përqendrohen te komercializimi në shkallë të gjerë i shërbimeve të drejtimit autonom.
Partneriteti i zgjeruar do t’u shtohet planeve ekzistuese për të nisur një shërbim komercial robotaksish në Zagreb, në Kroaci. Përdoruesit do të mund t’i rezervojnë këto udhëtime përmes platformës së Uber, ndërsa më vonë shërbimi pritet të zgjerohet në katër qytete të tjera evropiane.
Modeli i partneritetit do të ndërthurë tre elemente kryesore të nevojshme për ofrimin e shërbimeve robotaksi në shkallë të gjerë: një platformë transporti, kapacitetet për menaxhimin e flotës dhe teknologjinë e drejtimit autonom.
Të dyja kompanitë synojnë gjithashtu të eksplorojnë mundësi në Lindjen e Mesme, megjithëse detajet e sakta për këto plane ende nuk janë bërë të ditura.
“Ky marrëveshje e zgjeruar shënon një fazë të re të rëndësishme në partneritetin mes Pony.ai dhe Uber. Ajo pasqyron angazhimin tonë të përbashkët për të sjellë shërbime të sigurta dhe të besueshme robotaksi në më shumë qytete evropiane”, tha Dr. James Peng, themelues dhe CEO i Pony.ai, në një deklaratë për shtyp.
“Duke kombinuar teknologjinë e provuar të drejtimit autonom dhe përvojën operacionale të Pony.ai me platformën globale të transportit të Uber dhe shtrirjen e saj të gjerë në treg, synojmë të ndërtojmë operacione tregtare të qëndrueshme dhe në shkallë të gjerë në të gjithë Evropën dhe më gjerë”, vijoi ai.
Pony AI, një kompani globale e automjeteve autonome që zhvillon robotaksi, sisteme të drejtimit autonom dhe kamionë autonomë, tashmë ofron shërbime robotaksi me pagesë dhe plotësisht pa shofer në qendra të rëndësishme të Kinës, si Pekini, Guangzhou, Shangai dhe Shenzhen.
Kompania do të sjellë teknologjinë e saj të drejtimit autonom të Nivelit 4, së bashku me përvojën e vlefshme operacionale të fituar nga projektet robotaksi në shkallë të gjerë.
Nga ana tjetër, Uber do të ofrojë platformën e saj globale të transportit, e cila përfshin funksionet e pagesave, rezervimeve dhe shërbimit ndaj klientit.
Mbështetja lokale nga operatorët e flotave do të përdoret gjithashtu për operacionet e përditshme në tregjet individuale.
“E ardhmja e lëvizshmërisë autonome lidhet me kalimin nga lançimet individuale drejt një shkalle tregtare të përsëritshme”, tha Sarfraz Maredia, drejtuesi global i sektorit të Lëvizshmërisë Autonome dhe Dërgesave në Uber.
“Së bashku me Pony.ai, po kombinojmë teknologjinë e avancuar autonome me platformën hibride të Uber, përvojën në terren dhe përsosmërinë operacionale, për të ndërtuar një model që mund të zgjerohet shpejt dhe në mënyrë të besueshme në qytete të ndryshme”, vijoi ai.
Rritja e automjeteve autonome
Disa kompani në mbarë botën, përfshirë kompani evropiane si Mercedes-Benz, BMW dhe Volkswagen, kanë eksploruar teknologjitë dhe zgjidhjet e drejtimit autonom gjatë viteve të fundit.
Kjo lidhet me rritjen e parashikuar të jashtëzakonshme të këtij tregu, si dhe me potencialin për të zgjidhur probleme të rëndësishme, si mungesa e shoferëve.
Automjetet autonome përshtaten gjithashtu shumë mirë me arkitekturat e automjeteve elektrike, ndaj shpesh konsiderohen si hapi i natyrshëm i radhës. Ato mund të ndihmojnë edhe në rritjen e efikasitetit urban në shumë fusha.
Megjithatë, shqetësimet për sigurinë dhe mungesa e teknologjisë së përshtatshme kanë frenuar disa kompani, veçanërisht në Evropë.
Nga ana tjetër, Kina është shndërruar në një lider të qartë në teknologjinë e drejtimit autonom, falë mbështetjes së madhe shtetërore dhe faktit që kjo teknologji është trajtuar si një prioritet kombëtar dhe strategjik./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
