Pas javësh spekulimesh, Uber ra zyrtarisht dakord të blejë Delivery Hero, një marrëveshje që do ta zgjerojë ndjeshëm praninë e gjigantit të transportit dhe shpërndarjeve, duke e çuar atë në afro 100 tregje në Evropë, Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe Azi.
Delivery Hero, me seli në Gjermani, njoftoi gjithashtu një marrëveshje të veçantë për shitjen e aktivitetit të saj në 14 tregje, ku Uber Eats është tashmë i pranishëm, te firma e investimeve SSW Partners me seli në Nju Jork, për 1.6 miliardë dollarë.
Blerja prej 14.8 miliardë dollarësh, që do të realizohet tërësisht përmes aksioneve, nuk është ende përfundimtare. Marrëveshja do ta shndërronte platformën e shpërndarjeve të Uber në një nga më të mëdhatë në botë, dhe me gjasë më të madhen jashtë Kinës, por pritet të përballet me shqyrtim nga autoritetet rregullatore.
Uber, që ishte tashmë aksioneri më i madh i Delivery Hero, ka vendosur si prag minimal pranimi 50% plus një aksion të kapitalit aksioner në qarkullim të kompanisë. Sipas njoftimit, edhe Prosus, një tjetër aksioner i madh, ka rënë dakord të shesë pjesën e saj prej 17%.
Nëse marrëveshja përmbyllet, Uber do ta dyfishojë pothuajse shtrirjen e saj, duke u pozicionuar më mirë për të konkurruar me DoorDash dhe Just Eat.
“Së bashku, do të dyfishojmë pothuajse numrin e tregjeve ku ofrojmë si shërbime transporti, ashtu edhe shpërndarjeje, duke zgjeruar një platformë të provuar që besojmë se do të krijojë vlerë të konsiderueshme afatgjatë për klientët dhe aksionerët tanë”, deklaroi në një njoftim drejtori ekzekutiv i Uber, Dara Khosrowshahi./Përshtati Yahoo Finance, ekofin.al

