Rreth 17.516 biznese të tjera në Shqipëri pritet të përfshihen në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), si rezultat i uljes së pragut të detyrueshëm të regjistrimit nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor. Ndryshimi, i propozuar në kuadër të paketës fiskale 2027, parashikohet të sjellë rreth 4.5 miliardë lekë, të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit.
Aktualisht, kufiri i detyrueshëm i regjistrimit për TVSH-në është 10 milionë lekë qarkullim vjetor, nivel që zbatohet që prej janarit 2021. Bizneset me qarkullim mbi 5 milionë lekë kanë mundësi të regjistrohen vullnetarisht, ndërsa me ndryshimin e propozuar regjistrimi do të bëhet i detyrueshëm për subjektet që kalojnë këtë prag.
Kjo do të thotë se mijëra biznese të vogla, të cilat deri më tani kanë operuar jashtë regjimit të detyrueshëm të TVSH-së, do të përballen me detyrime të reja për deklarimin e shitjeve dhe blerjeve, administrimin e faturave dhe përmbushjen e kërkesave tatimore.
Sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, ulja e pragut synon formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, zgjerimin e bazës së tatueshme dhe rritjen e transparencës së transaksioneve ndërmjet bizneseve.
Përfshirja e subjekteve të reja në regjimin normal të TVSH-së do të mundësojë deklarimin e transaksioneve të shitjeve dhe blerjeve nga të gjitha palët, duke krijuar mundësi më të mëdha për kryqëzimin e informacionit nga administrata tatimore.
Në këtë mënyrë, autoritetet synojnë të identifikojnë më lehtë mospërputhjet në deklarime dhe të përmirësojnë kontrollin e zinxhirit të furnizimit me mallra dhe shërbime.
Në relacion argumentohet gjithashtu se pragu prej 5 milionë lekësh është përcaktuar duke mbajtur në konsideratë nevojën për të mos përfshirë në mënyrë të detyrueshme bizneset më të vogla, kryesisht ato familjare dhe subjektet me një të vetëpunësuar.
Megjithatë, për bizneset që do të hyjnë për herë të parë në skemë, ndryshimi mund të shoqërohet me rritje të kostove administrative dhe të kontabilitetit, si dhe me nevojën për të përshtatur politikat e çmimeve. Ndikimi te konsumatorët do të varet nga mundësia e bizneseve për të zbritur TVSH-në e blerjeve dhe nga pjesa e barrës që do të reflektohet në çmimet përfundimtare.
Në argumentimin e ndryshimit, qeveria i referohet rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe politikave të Bashkimit Europian.
Sipas relacionit, misionet e FMN-së, përfshirë atë të janarit 2025, kanë sugjeruar se një prag regjistrimi prej 5 milionë lekësh qarkullim vjetor do të ishte optimal për Shqipërinë, duke kontribuar në rritjen e formalizimit.
Nga ana tjetër, referenca europiane lidhet me Direktivën 2006/112/EC, e cila parashikon kuadrin për regjimin e veçantë të ndërmarrjeve të vogla, me një kufi kombëtar përjashtimi që nuk mund të tejkalojë 85 mijë euro.
Aktualisht, Shqipëria ka një nga pragjet më të larta të regjistrimit për TVSH-në në rajon, me rreth 108.700 euro qarkullim vjetor.
Sipas tabelës krahasuese të përfshirë në relacion, Italia aplikon një kufi prej 85 mijë eurosh, Serbia 68 mijë euro, Sllovenia dhe Kroacia nga 60 mijë euro, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Bullgaria rreth 51 mijë euro.
Në Kosovë dhe Mal të Zi kufiri është 30 mijë euro, në Maqedoninë e Veriut 32.500 euro, ndërsa në Greqi 10 mijë euro.
Me uljen e pragut në 5 milionë lekë, Shqipëria do t’i afrohej niveleve të aplikuara nga disa prej vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian.
Efekti fiskal i parashikuar nga qeveria është rreth 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë nga TVSH-ja, çka e bën uljen e pragut një prej masave me ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e bazës së të ardhurave tatimore. /ekofin.al
