Kompania turke “Fortis Energy” ka nisur ndërtimin e centralit fotovoltaik në Ersekë me një kapacitet prej 75 MW. “Projekti i Centralit Diellor në Ersekë ka kaluar në fazën e ndërtimit, me një kapacitet total maksimal prej 75 MW dhe do të integrohet me një sistem magazinimi të energjisë me bateri (BESS) prej 25 MWh,” bëri të ditur kompania turke.
Pas miratimit formal, kompania ka kaluar në fazën e zbatimit në fshatin Taç-Lartë, në bashkinë Kolonjë, në juglindje të vendit. Vlen të theksohet se në qershor Fortis Energy mori miratimin nga qeveria shqiptare për ndërtimin e impiantit fotovoltaik. Kompania është e autorizuar ta operojë këtë objekt për 49 vite nga hyrja në fuqi e vendimit.
Projekti fotovoltaik pritet të prodhojë 135 GWh energji në vit. Sipas kompanisë, ky projekt do të përbëjë një hap të rëndësishëm në tranzicionin e gjelbër të energjisë në Shqipëri, duke kombinuar prodhimin diellor me kapacitete të avancuara magazinimi.
Fortis ka ftuar gjithashtu furnitorë dhe kontraktorë të kualifikuar që të paraqesin interesin e tyre për paketat e ardhshme të ndërtimit dhe prokurimit. “Po kërkojmë partnerë që ndajnë angazhimin tonë për përsosmëri në shëndet, siguri dhe mjedis (HSE), saktësi teknike dhe dorëzim në kohë”, theksoi kompania.
Sipas miratimit të qeverisë, objekti duhet të ndërtohet brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Këto 36 muaj për ndërtimin, punimet ndihmëse dhe vënien në punë përfshihen në periudhën 49-vjeçare të operimit të impiantit.
Vlen të theksohet se Fortis Energy po zhvillon projekte të energjisë së rinovueshme me një kapacitet total prej 2 GW në Evropën Juglindore. /ekofin.al

