Stenda e Shqipërisë në FITUR 2026, në Madrid, Spanjë, ka tërhequr interes të lartë nga vizitorë dhe operatorë turistikë nga vende të ndryshme të botës, duke reflektuar rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj Shqipërisë si destinacion turistik gjithnjë e më konkurrues.
Në kuadër të panairit, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim miqësor me ministrin e Industrisë dhe Turizmit të Spanjës, Jordi Hereu i Boher, ku u diskutuan zhvillimet më të fundit në sektorin e turizmit, si dhe mundësitë për shkëmbimin e përvojave dhe modeleve të suksesshme mes dy vendeve. Biseda u fokusua në forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë turizmin e qëndrueshëm, promovimin e destinacioneve kulturore, diversifikimin e ofertës turistike dhe zgjatjen e sezonit turistik gjatë gjithë vitit.
Po në këtë kuadër, ministri Gonxhja u takua edhe me Kryetarin e Bashkisë së Madridit, José Luis Martínez-Almeida, duke vlerësuar rolin e Madrid si një nga qendrat më të rëndësishme europiane të turizmit dhe dialogut ndërkombëtar. Takimi nënvizoi rëndësinë e partneriteteve institucionale dhe të biznesit për nxitjen e investimeve dhe ndërtimin e bashkëpunimit afatgjatë në fushën e turizmit.
Ndërkohë, në stendën shqiptare në FITUR prezantohen destinacionet kryesore turistike të vendit, vlerat e trashëgimisë kulturore, si dhe produktet tradicionale, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ofertës turistike kombëtare. Ky prezantim synon të pasqyrojë diversitetin e Shqipërisë dhe potencialin e saj për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit, duke e forcuar më tej pozicionimin e vendit në tregjet ndërkombëtare.
FITUR mbetet një panair lider dhe një platformë kyçe për dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e turizmit, ku Shqipëria po shfaqet gjithnjë e më shumë si një destinacion me potencial të lartë zhvillimi.

