Viti 2025 ka nisur me pesimizën sa i përket treguesit të ndjesisë ekonomike dhe perceptimeve si nga bizneset, ashtu edhe nga konsumatorët për ecurinë e ekonomisë. Sipas rezultateve të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i përgjithshëm i ndjesisë ekonomike ra me 0.8 pikë në janar. Në rënien e tij ndikoi dobësimi i besimit në të gjithë sektorët, me përjashtim të sektorit të shërbimeve.
Treguesi i besimit të industrisë vijoi prirjen ngadalësuese që nga tremujori i tretë i vitit të kaluar, duke shënuar rënie me 4.7 pikë përqindje në muajin janar. Rënia e këtij treguesi në muajin e parë të vitit 2025, u përcaktua nga vlerësimet më pesimiste për kontratat porositëse të bizneseve, veçanërisht ato nga eksportet.
Edhe treguesi i besimit në ndërtim ka rënë me 4.1% në janar dhe për këtë ka ndikuar rishikimi për poshtë i vlerësimeve të bizneseve për aktivitetin aktual ndërtues. Nga ana tjetër, vlerësimet e bizneseve për kontratat porositëse shënuan rritje të lehtë këtë muaj. Gjithashtu, pritshmëritë për punësimin dhe për çmimet në të ardhmen u rritën.
Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 4.4% në janar, duke qëndruar 13% më lart se mesatarja historike dhe duke mbajtur praktikisht në këmbë entuziazmin e bizneseve dhe ekonomisë në përgjithësi, ndikuar nga ecuria shumë e mirë e sektorit të turizmit.
Treguesi i besimit në tregti ra me 2.9%, ndikuar vlerësimi më pesimist për ecurinë aktuale të biznesit, edhe pse pritshmëritë për punësimin mbetën pozitive.
Rënie shënoi edhe besimi konsumator, me 3%, duke e çuar nivelin e këtij treguesi nën mesataren historike, për herë të parë nga muaji qershor 2024. Rënia e këtij treguesi erdhi për shkak të pritshmërive jo të mira konsumatore për situatën e përgjithshme të ekonomisë, si edhe për gjendjen e tyre financiare në të ardhmen. /ekofin.al