Në tunelin e Llogorasë kanë përfunduar rreth 88% e punimeve. Janë fazat e fundit të punimeve për të nisur më pas hedhjen e shtresave asfaltike dhe po punohet edhe për vendosjen e sistemit elektromekanik dhe sistemin e ndriçimit. Po ashtu, po punohet paralelisht edhe për ndërtimin e qendrës së monitorimit të tunelit.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ndoqën nga afër punimet në këtë vepër e cila parashikohet të jetë gati dhe e hapur për qarkullimin e automjeteve në nisje të sezonit turistik veror të këtij viti.
Ministrja Balluku teksa theksoi se ka një angazhim maksimal për të përfunduar të gjitha punimet brenda aftit të parashikuar, në mënyrë që kjo vepër, e cila shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut, të jetë në dispozicion të qytetarëve. Balluku tha se pas përfundimit të sezonit veror, kur ulet edhe fluksi i lëvizjes drejt bregdetit, në tunel do të rinisin punimet deri në përfundimin e plotë të veprës. Balluku theksoi se këtë sezon nuk do të aplikohet asnjë tarifë për automjetet të cilat do të kalojnë përmes tunelit.

