Presidenti Donald Trump kërcënoi Bashkimin Europian me një hetim që mund të çojë në rritje tarifash, pasi BE-ja gjobiti Google me miliarda dollarë për shkelje të ligjeve antitrust.
BE-ja njoftoi më herët të premten se Google duhet të paguajë një gjobë antitrust prej 2.95 miliardë € (3.45 miliardë $) për praktika antikonkurruese në biznesin e saj fitimprurës të teknologjisë së reklamave, duke shënuar dënimin e katërt në betejën e gjatë njëdekadëshe me rregullatorët europianë të konkurrencës.
Trump e kritikoi gjobën duke thënë në një postim në Truth Social se paratë që Google do të detyrohet të paguajë “përndryshe do të shkonin për Investime dhe Punësime Amerikane.” Ai shtoi: “Kjo është mbi shumë gjoba dhe taksa të tjera që i janë vendosur Google dhe kompanive të tjera amerikane të teknologjisë. Shumë e padrejtë, dhe taksapaguesi amerikan nuk do ta pranojë këtë!”
Trump tha se administrata e tij mund të nisë një hetim sipas Seksionit 301 kundër BE-së si masë hakmarrëse, i cili mund të çojë në tarifa të reja. Një lëvizje e tillë do të ishte goditje e madhe për BE-në, e cila gjatë verës arriti një marrëveshje të diskutueshme tregtare me SHBA.
Megjithëse 27 vendet anëtare votuan pro marrëveshjes, shumë liderë europianë janë shprehur të pakënaqur dhe një marrëveshje afatgjatë tregtare me SHBA mbetet e pasigurt.
Gjobitja e Google konsiderohet një hap agresiv nga Komisioni Evropian, rregullatori kryesor i teknologjisë në BE, pasi Trump kishte kërcënuar më parë me masa hakmarrëse nëse BE do të gjobiste sërish kompanitë amerikane të teknologjisë.
Trump tha gjithashtu se “Google ka paguar më parë 13 miliardë $ në akuza dhe pretendime të rreme, për një total prej 16.5 miliardë $. Sa absurde është kjo? BE duhet ta ndalojë menjëherë këtë praktikë kundër kompanive amerikane!”
Gjobitja e Google
Vendimi i Komisionit Europian u nxit nga një ankesë e European Publishers Council.
Fillimisht, gjoba do të shpallej të hënën, por kundërshtimi i komisionerit të tregtisë së BE-së, Maroš Šefčovič, për shkak të frikës nga tarifat amerikane për makinat europiane, bllokoi planin e komisioneres së konkurrencës Teresa Ribera.
Komisioni tha se Google kishte favorizuar shërbimet e veta të teknologjisë së reklamave në dëm të rivalëve dhe botuesve online, duke abuzuar me fuqinë e tregut që nga viti 2014 deri më sot. Ai urdhëroi Google të ndalonte praktikat e vetëfavorizimit dhe të merrte masa për të shmangur konfliktet e interesit. Kompania ka 60 ditë kohë për të njoftuar Komisionin mbi mënyrën se si do të zbatojë këtë vendim.
Komisioni përsëriti mendimin paraprak se Google duhet të shesë një pjesë të shërbimeve të saj, por tha se do të presë së pari të vlerësojë përpjekjet e Google për përputhshmëri.
“Google tani duhet të paraqesë një zgjidhje serioze për të adresuar konfliktet e interesit, dhe nëse dështon, ne nuk do të hezitojmë të vendosim masa të forta,” tha Ribera.
“Tregjet digjitale ekzistojnë për t’u shërbyer njerëzve dhe duhet të bazohen në besim dhe drejtësi. Dhe kur tregjet dështojnë, institucionet publike duhet të veprojnë për të parandaluar abuzimin e lojtarëve dominues,” shtoi ajo.
Google e kritikoi vendimin dhe njoftoi se do ta apelonte në gjykatë.
“Vendimi i Komisionit Europian për shërbimet tona të ad tech është i gabuar dhe ne do ta apelojmë. Ai vendos një gjobë të pajustifikuar dhe kërkon ndryshime që do të dëmtojnë mijëra biznese europiane, duke e bërë më të vështirë për ta të fitojnë,” tha Lee-Anne Mulholland, zv/presidente, Global Head of Regulatory Affairs.
“S’ka asgjë antikonkurruese në ofrimin e shërbimeve për blerësit dhe shitësit e reklamave, dhe sot ka më shumë alternativa se kurrë më parë.”
Gjobat e mëparshme
Kjo gjobë krahasohet me dënimet e mëparshme rekord ndaj Google: 4.3 miliardë € në 2018; 2.42 miliardë € në 2017; 1.49 miliardë € në 2019
Reuters raportoi javën e kaluar se gjoba e këtij viti do të ishte më e moderuar, duke shënuar një ndryshim në qasjen e Ribera-s krahasuar me paraardhësit e saj, të cilët vendosnin gjoba shumë të rënda për të dekurajuar shkeljet./Përshtati nga CNN, ekofin.al
