Raporti i rrjedhur i BBC-së thotë se filmi “e ka mashtruar plotësisht” publikun duke bashkuar dy pjesë të ndryshme të fjalimit të 6 janarit
Donald Trump ka kërcënuar me veprim ligjor ndaj BBC-së dhe ka mirëpritur dorëheqjet e dy prej figurave më të larta të saj, pas një fushate kundër transmetuesit që arriti kulmin për shkak të kritikave se programi kryesor dokumentar i vitit 2024 kishte përdorur një montazh mashtrues të një fjalimi të Trumpit.
Avokatët e presidentit amerikan thanë se BBC duhet të tërheqë dokumentarin Panorama deri të premten ose do të përballet me një padi prej “jo më pak se” 1 miliard dollarësh (760 milionë £), sipas mediave amerikane që cituan letrën. BBC konfirmoi se kishte marrë një letër dhe tha se do të përgjigjej në kohën e duhur.
Dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, dhe të shefes së lajmeve, Deborah Turness, erdhën pasi gazeta e djathtë The Telegraph publikoi një raport të brendshëm të rrjedhur nga një ish-këshilltar për standardet e BBC-së, ku ngriheshin akuza për mangësi në mbulimin e lajmeve nga transmetuesi. Raporti kritikonte mbulimin e BBC-së për çështjet transgjinore, Gazën dhe një montazh të fjalimit të Trumpit më 6 janar, gjatë kryengritjes në Capitol Hill.
“Faleminderit The Telegraph që ekspozoi këta ‘gazetarë’ të korruptuar. Janë njerëz shumë të pandershëm që u përpoqën të ndikojnë në një zgjedhje presidenciale. Për më tepër, vijnë nga një vend i huaj, që shumë e konsiderojnë aleatin tonë numër një. Çfarë gjëje e tmerrshme për demokracinë!”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Pas dorëheqjes së Davie-t, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, festoi gjithashtu duke postuar në X intervistën e saj të së shtunës me The Telegraph, të cilën e titulloi “shot”, dhe artikullin e BBC-së për dorëheqjen e Davie-t me mbishkrimin “chaser”.
Komiteti me qendër në Nju Jork për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) deklaroi se “liria e shtypit nuk është më e sigurt në Shtetet e Bashkuara”, duke argumentuar se politikat e administratës Trump mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme dhe do të duhen dekada për t’u riparuar.
Raporti i rrjedhur i BBC-së tha se dokumentari i Panorama-s për çështjet aktuale “e kishte mashtruar plotësisht” publikun duke bashkuar dy pjesë të ndryshme të fjalimit të Trumpit. Montazhi kishte përzier citate nga seksione të ndara të fjalimit, të mbajtura me një orë diferencë, duke kombinuar thirrjen për të “ecur drejt Kapitolit” me nxitjen për të “luftuar me gjithë fuqinë”.
Kryetari i BBC-së, Samir Shah, të hënën vonë kërkoi falje për redaktimin e fjalimit të Trumpit, duke e quajtur atë një “gabim gjykimi”.
Në fakt, Trump atë ditë u dha ndjekësve të tij mesazhe kontradiktore, pasi i kishte thirrur të mblidheshin në kryeqytet si pjesë e përpjekjeve të tij për të diskredituar humbjen në zgjedhje me pretendime të rreme për mashtrim të gjerë. Presidenti amerikan më vonë u akuzua për “nxitje të kryengritjes” në lidhje me sulmin ndaj Kapitolit nga protestuesit, por u shpall i pafajshëm nga Senati pasi republikanët u bashkuan në mbështetje të tij./Përshtati nga The Guardian, ekofin.al
