Ministria e Ekonomisë ka nxjerrë në konsultim publik projektligjin e ri “Për treguesit gjeografikë dhe emërtimet e origjinës”, një akt i rëndësishëm që synon të krijojë për herë të parë një kuadër të plotë, të posaçëm dhe të harmonizuar me Bashkimin Evropian për mbrojtjen e produkteve shqiptare të lidhura ngushtë me territorin, traditën dhe cilësinë. Drafti përfaqëson një hap të rëndësishëm reformues, duke e ndarë këtë fushë nga ligji i përgjithshëm për pronësinë industriale dhe duke e trajtuar atë me një ligj të veçantë, të dedikuar dhe shumë më të detajuar.
Sipas relacionit shpjegues, projektligji synon rregullimin e plotë të marrëdhënieve juridike që lidhen me treguesit gjeografikë dhe emërtimet e origjinës, të cilat deri më tani rregulloheshin vetëm pjesërisht nga ligji nr. 9947/2008 “Për Pronësinë Industriale”. Ky ligj ekzistues, megjithëse i ndryshuar disa herë ndër vite, ka rezultuar i pamjaftueshëm për të mbuluar në mënyrë të plotë këtë fushë, pasi trajtonte njëkohësisht disa objekte të pronësisë industriale, duke e bërë rregullimin teknik dhe praktikisht të vështirë. Drafti i ri përbëhet nga 115 nene, krahasuar me vetëm 14 nene që kishte ligji aktual për këtë fushë, duke sjellë një zgjerim të ndjeshëm dhe një trajtim shumë më të thelluar ligjor.
Një nga objektivat kryesorë të projektligjit është forcimi i mbrojtjes së treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës, për shkak të rolit të tyre të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, në rritjen e vlerës së produkteve vendase dhe në mbrojtjen nga abuzimet dhe përdorimet e paligjshme në treg. Ligji i ri synon të garantojë që vetëm prodhuesit që respektojnë specifikimet e përcaktuara të kenë të drejtë të përdorin emërtimin e mbrojtur, duke rritur besueshmërinë për konsumatorin dhe konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare, si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Projektligji është ndërtuar mbi bazën e përafrimit të plotë me acquis communautaire dhe reflekton rregulloret më të fundit të Bashkimit Evropian, përfshirë Rregulloren (BE) 2024/1143 për treguesit gjeografikë të verës, pijeve alkoolike dhe produkteve bujqësore, si dhe Rregulloren (BE) 2023/2411 për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale. Ky harmonizim i plotë konsiderohet thelbësor në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe angazhimeve të Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së.
Një risi e rëndësishme e draftit është trajtimi i detajuar i “grupit të prodhuesve”, i cili përcaktohet si subjekti kryesor që ka të drejtë të paraqesë kërkesën për regjistrimin e një treguesi gjeografik ose emërtimi origjine. Projektligji përcakton qartë se kush mund të konsiderohet grup prodhuesish, në cilat raste një prodhues i vetëm mund të trajtohet si grup, si dhe të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga ky status. Ky rregullim, i munguar deri më tani, pritet të lehtësojë ndjeshëm proceset administrative dhe të krijojë më shumë siguri juridike për prodhuesit.
Drafti parashikon gjithashtu procedura të qarta dhe të strukturuara për regjistrimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e treguesve gjeografikë, si dhe për kundërshtimin e aplikimeve nga palë të treta. Për herë të parë, në ligj parashikohet edhe një fazë konsultimi dhe negociimi mes aplikuesit dhe kundërshtuesit, me synim zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjeve, duke shmangur konfliktet e gjata gjyqësore dhe duke favorizuar eficiencën ekonomike.
Një tjetër element i rëndësishëm është forcimi i masave të mbrojtjes pas regjistrimit. Projektligji përcakton qartë të drejtat e mbajtësve të treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës, si dhe ndalimet për përdorimin e paautorizuar të tyre. Parashikohen masa të forta kundër shkeljeve, përfshirë nxjerrjen jashtë qarkullimit të produkteve cënuese, konfiskimin e tyre, si dhe të drejtën për shpërblim dëmi. Po ashtu, ligji u jep mbajtësve të këtyre të drejtave mundësinë për t’iu drejtuar autoriteteve doganore dhe inspektuese për mbrojtjen e produkteve të tyre në tregun e brendshëm dhe në kufi.
Projektligji trajton në mënyrë të veçantë edhe treguesit gjeografikë për produkte artizanale dhe industriale, një fushë e re që deri më tani nuk kishte rregullim të posaçëm në legjislacionin shqiptar. Kjo hap rrugën për mbrojtjen ligjore të produkteve tradicionale artizanale dhe industriale, të cilat kanë një lidhje të fortë me zonën gjeografike dhe trashëgiminë kulturore, duke krijuar potencial të ri për zhvillim ekonomik lokal dhe turizëm.
Nga këndvështrimi buxhetor, relacioni shpjegues thekson se projektligji nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit, nuk sjell nevojë për shtim stafi apo ndryshim tarifash, por synon kryesisht rregullime ligjore dhe institucionale për të mbushur boshllëqet ekzistuese dhe për të rritur eficiencën e sistemit aktual.
Me hedhjen në konsultim publik të këtij drafti, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit fton prodhuesit, grupet e interesit, ekspertët dhe publikun e gjerë të kontribuojnë me komente dhe sugjerime, në mënyrë që ligji final të reflektojë sa më mirë nevojat e tregut dhe të shërbejë si një instrument efektiv për mbrojtjen, promovimin dhe valorizimin e produkteve shqiptare me identitet të fortë gjeografik dhe origjinë të certifikuar. /ekofin.al
