Viti 2024 u mbyll me rënie të treguesit të besimit në ekonomi me 3.8%, ndikuar kryesisht nga një rënie e konsidueshme, me 5.5% e treguesit të besimit në ndërtim. Rënia e këtij treguesit ka ardhur kryesisht nga vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu edhe nga ato për kontratat porositëse. Ndërkohë, parashikimet për çmimet që do të vendosin ndërtuesit në të ardhmen kanë regjistruar rritje, ndërsa ato për punësimin paraqiten në përkeqësim të lehtë.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, megjithë rënien e shënuar në muajin e fundit të vitit, treguesi i besimit në ekonomi mbetet mbi mesataren historike me mbi 8 pikë, duke reflektuar një atmosferë më të mirë ekonomike krahasuar me vitet e kaluara.
Përveç sektorit të ndërtimit, rënie të konsiderueshme shënoi edhe treguesi i besimit në shërbimeve, sërish me 5.5%. Në rënie kontribuuan vlerësimet më pak optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, dhe për nivelin aktual të kërkesës.
Edhe treguesit e tjerë, si besimi në industri, në tregti dhe besimi konsumator shënuan rënie në muajin e fundit të vitit 2024.
Për sektorin industrial, treguesi ra me 1%, duke vijuar trendin rënës për të tretin muaj radhazi. Rënia e TBI-së u
ndikua nga vlerësimet më pak pozitive të bizneseve për prodhimin industrial aktual. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar për lart krahasuar me muajin e kaluar, ashtu si edhe pritjet e bizneseve të këtij sektori për punësimin në të ardhmen.
Konsumatorët, të cilët janë më të kujdesshëm në vlerësimin e situatës ekonomike, regjistruan një rënie të lehtë me 1.7% në Treguesin e Besimit të Konsumatorit, ndërkohë që ky tregues sërish qëndroi 2.4% më lart se mesatarja historike.
Nga ana tjetër, gjendja financiare e bizneseve ka shënuar përmirësime të vogla në tremujorin e katërt, duke arritur vlera historikisht të larta për sektorët e industrisë dhe ndërtimit. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve është rritur krahasuar me tremujorin e mëparshëm, duke sugjeruar një rritje të aktivizimit në këto sektorë. /ekofin.al