Tregu i sigurimeve vijoi të shfaqë një ecuri pozitive gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026, me rritje të primeve, zgjerim të numrit të kontratave dhe një rritje të fortë të dëmshpërblimeve të paguara. Të dhënat statistikore tregojnë se kompanitë e sigurimeve arkëtuan prime bruto në vlerën e rreth 13.23 miliardë lekëve, ose 3.16% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, ritmi i rritjes së dëmeve të paguara rezultoi dukshëm më i lartë. Gjatë periudhës janar-qershor, kompanitë paguan rreth 4.78 miliardë lekë dëmshpërblime, me një rritje prej 16.75% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Në të njëjtën kohë, numri i kontratave të sigurimit u rrit me 5.76%, ndërsa numri i dëmeve të paguara u zgjerua me 8.16%, duke konfirmuar zgjerimin e aktivitetit në të gjithë tregun.
Segmenti i sigurimeve Jo-Jetë vijon të dominojë tregun shqiptar, duke zënë 90.74% të totalit të primeve. Në këtë segment u arkëtuan rreth 12.01 miliardë lekë prime, me një rritje prej 2.89%, ndërsa dëmet e paguara arritën në 4.45 miliardë lekë, ose 19.62% më shumë se një vit më parë.
Brenda këtij segmenti, sigurimet e detyrueshme motorike mbeten produkti kryesor i tregut, duke përfaqësuar 65.64% të portofolit të sigurimeve Jo-Jetë. Primet bruto në këtë kategori arritën në rreth 7.88 miliardë lekë, me një rritje prej 4.65%, ndërsa dëmet e paguara u rritën me 18.03%, duke arritur në 3.12 miliardë lekë. Numri i kontratave u zgjerua me 2.57%, ndërsa numri i dëmeve të paguara me 5.25%.
Sipas analizës së tregut, performanca e sigurimeve motorike vijon të ndikohet nga zbatimi i sistemit të ri të vlerësimit të riskut përmes historikut të dëmeve (bonus-malus), i cili po orienton më mirë çmimet sipas profilit të drejtuesve të mjeteve. Nga ana tjetër, produktet e Kartonit Jeshil dhe sigurimeve kufitare kanë regjistruar rënie, si pasojë e lehtësimit të lëvizjes së automjeteve drejt vendeve fqinje anëtare të CEFTA-s.
Në segmentin e sigurimeve vullnetare, primet bruto mbetën pothuajse në të njëjtat nivele të një viti më parë, duke arritur në rreth 4.13 miliardë lekë, me një rënie të lehtë prej 0.30%. Rritja e primeve në sigurimet e aksidenteve, shëndetit dhe përgjegjësisë civile është neutralizuar nga tkurrja e sigurimeve ndaj zjarrit, forcave të natyrës dhe dëmtimeve të tjera në pronë.
Megjithatë, pikërisht këto produkte kanë ndikuar në rritjen e fortë të dëmshpërblimeve. Dëmet e paguara në sigurimet vullnetare arritën në rreth 1.33 miliardë lekë, ose 23.51% më shumë se një vit më parë, të nxitura kryesisht nga pagesat për dëmet nga zjarri dhe dëmtimet në pronë.
Edhe segmenti i sigurimeve të Jetës vijoi të shënojë rritje, megjithëse pesha e tij në treg mbetet modeste, me 9.26% të totalit. Primet bruto në këtë segment arritën në mbi 1.22 miliardë lekë, me një rritje prej 6.21%, ndërsa numri i kontratave u zgjerua me 3.67%.
Dëmet e paguara në sigurimet e Jetës arritën në rreth 190 milionë lekë, me një rritje të lehtë prej 1.80%, ndërsa numri i rasteve të dëmshpërblimeve u rrit ndjeshëm, me 31.89%, kryesisht për shkak të kontratave të tipit “Flexi Plan”. Rritja e primeve në këtë segment vazhdon të mbështetet nga produktet e lidhura me kreditimin dhe sigurimet në grup. /ekofin.al

