Në dyert e apartamenteve dhe rrugicat e qyteteve tona, telefonat bien ende për paketa që paguhen me para në dorë. Kjo skenë, e njohur prej vitesh, tregon pse tregtia elektronike në Ballkanin Perëndimor ecën më ngadalë se në BE: besueshmëria e produktit ende blihet me pagesë në dorëzim, ndërsa zinxhirët postarë e logjistikë përpiqen ta zënë ritmin e rritjes online.
Pagesat: një varësi që mban peng klikimin
Sipas të dhënave të shoqatës E-commerce të Maqedonisë së Veriut, për Shqipërinë, pamja është e qartë: në 2021, 75% e blerësve zgjodhën cash-on-delivery (pagesa në dorëzim). Në Kosovë kjo shifër arrin 85%, në B&H 74% dhe në Serbi 71%, një shumicë që e mban pagesën digjitale në prag, jo brenda shtëpisë. Maqedonia e Veriut (47%) dhe Mali i Zi (42%) nisin ta thyejnë zakonin, por rajoni në tërësi vazhdon t’i besojë dorëzimit me para në dorë në një kohë kur vendet e BE-së e kanë normalizuar pagesën online. Kjo tregon se pa garanci të qarta, politika kthimi dhe zgjidhje pagese të thjeshta, përdoruesi do të vijojë të hapë portofolin te pragu, jo aplikacionin.
Problemi me dorëzimin e porosive
Kur niset porosia, nis edhe prova e madhe. Indeksi i Integruar i Zhvillimit Postar (2IPD, 2022) mat se sa i aftë është sistemi të mbajë premtimin se “porosia vjen nesër”. Serbia del në krye me mbulim 43.98, qëndrueshmëri 99.58 dhe shërbimin postar 63.96—një infrastrukturë që i jep tregtisë elektronike shinat e duhura. Shqipëria, ndërkohë, përplaset me boshllëqe kritike: besueshmëria 25.41, mbulimi 23.04, relevanca 8.1, qëndrueshmëria 55.36, shërbimi postar në vështirësi. Me pak fjalë, rrjeti shkon ku ka densitet, jo ku ka kërkesë. Bosnje dhe Hercegovina performon më mirë (p.sh. qëndrueshmëria 99.39, shërbimin postar 44.45), ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut rrinë rreth 32–35 pikë për shërbimin postar. Për konsumatorin, këto nuk janë thjesht numra: janë ditë pritjeje, pikë-dorëzime të pakta dhe porosi që rishkruajnë itinerarin.
Gatishmëria digjitale
Në Network Readiness Index 2023, Shqipëria shënon NRI 40.06 (renditja 79 në Evropë), duke lënë pas vetëm Bosnje dhe Hercegovinën ~39 (92) ndërsa Mali i Zi ~41.6 (87), Maqedonia e Veriut 44.69 (71) dhe Serbia 48.06 (63) tregojnë një performamcë më të mirë digjitale.
Në 2024, Shqipëria mban vetëm 3.30% të shitjes me pakicë në kanalin online dhe, pa një kthesë të fortë, projektohet 4.3% në 2028. Serbia nis nga 4.40% dhe ngjitet në 6.4%; Bosnje dhe Hercegovina nga 4.60% në 6.5%; Maqedonia e Veriut nga 6.0% në 7.8%; ndërsa Mali i Zi shfaq shpejtësinë më të madhe: 6.40% → 9.6%. Ky është një tregues i thjeshtë: sa më i lehtë klikimi dhe më i besueshëm dorëzimi, aq më shumë blihet online. Shqipëria nis nga baza më e ulët dhe, nëse nuk çlirohet nga COD 75%, nuk do të arrijë të përparojë dhe rritja deri në 4.3% do të mbetet një hap i vogël në një pistë ku të tjerët po vrapojnë./ekofin.al
