Tregtia e mallrave në Shqipëri është rritur ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit, por vendi mbetet ende me peshë të vogël krahasuar me shumicën e ekonomive të Europës Juglindore. Sipas raportit të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit të vitit 2026, tregtia totale e mallrave për Shqipërinë u rrit nga 8.6 miliardë dollarë në vitin 2019 në 13.6 miliardë dollarë në vitin 2024.
Kjo përfaqëson një rritje rreth 58% në pesë vite, më e lartë se rritja e përgjithshme e rajonit, ku tregtia totale e mallrave u rrit nga 971.5 miliardë dollarë në vitin 2019 në 1,474.2 miliardë dollarë në vitin 2024.
Megjithatë, krahasimi me vendet e tjera tregon se Shqipëria mbetet ende një ekonomi me vëllim të kufizuar tregtar. Në vitin 2024, tregtia totale e mallrave në Shqipëri ishte 13.6 miliardë dollarë, shumë më e ulët se në Serbi, ku arriti 73.8 miliardë dollarë, Kroaci me 71.8 miliardë dollarë, Bullgari me 100.4 miliardë dollarë, Greqi me 145.8 miliardë dollarë, Slloveni me 163.4 miliardë dollarë dhe Rumani me 236.7 miliardë dollarë.
Diferenca është edhe më e madhe me Turqinë, e cila në raport paraqitet si Ankara dhe arrin 605.8 miliardë dollarë tregti mallrash në vitin 2024, duke dominuar rajonin për nga pesha tregtare.
Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria qëndron poshtë Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut. Serbia kishte 73.8 miliardë dollarë tregti mallrash në vitin 2024, Bosnjë-Hercegovina 24.7 miliardë dollarë, ndërsa Maqedonia e Veriut 20.4 miliardë dollarë. Shqipëria lë pas Malin e Zi, ku tregtia totale ishte 5.1 miliardë dollarë. Për Kosovën, raporti nuk jep të dhëna në statistikat e UNCTAD për tregtinë e mallrave.
Rritje më e fortë vërehet në tregtinë brenda rajonit. Sipas raportit, tregtia ndërrajonale e Shqipërisë u rrit nga 2.15 miliardë dollarë në vitin 2019 në 3.67 miliardë dollarë në vitin 2024. Kjo është një rritje rreth 71%, duke treguar se lidhjet tregtare të vendit me ekonomitë e tjera të Europës Juglindore janë zgjeruar.
Pesha e tregtisë rajonale në totalin e tregtisë së Shqipërisë është rritur lehtë, nga rreth 25% në vitin 2019 në rreth 27% në vitin 2024. Kjo do të thotë se më shumë se një e katërta e tregtisë së mallrave të Shqipërisë lidhet me vendet e rajonit.
Por edhe në tregtinë brenda rajonit, Shqipëria mbetet pas shumicës së vendeve. Në vitin 2024, tregtia ndërrajonale e Shqipërisë ishte 3.67 miliardë dollarë. Serbia kishte 19.3 miliardë dollarë, Kroacia 19.5 miliardë dollarë, Greqia 20.1 miliardë dollarë, Bullgaria 27.1 miliardë dollarë, Rumania 35.1 miliardë dollarë dhe Turqia 37.6 miliardë dollarë.
Edhe Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut kanë vëllime më të larta tregtie rajonale se Shqipëria. Bosnjë-Hercegovina arriti 11.2 miliardë dollarë në vitin 2024, ndërsa Maqedonia e Veriut 6.4 miliardë dollarë. Shqipëria qëndron mbi Malin e Zi, i cili kishte 2.34 miliardë dollarë tregti brenda rajonit.
Në nivel rajonal, raporti thekson se objektivi për dyfishimin e tregtisë ndërrajonale mbetet larg. Pesha e tregtisë brenda rajonit në totalin e tregtisë së Evropës Juglindore u rrit vetëm nga 13.3% në vitin 2019 në 13.9% në vitin 2024. Kjo tregon se, megjithëse vëllimet janë rritur, orientimi strukturor i tregtisë nuk ka ndryshuar shumë./ekofin.al

