INSTAT ka publikuar shifrat e transportit rrugor për 3-mujorin e tretë të vitit, ku vihet re një rritje e mëtejshme e mjeteve me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht” që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, e cila deri në shtator ka arritur në total 939.152 mjete.
Në kategorinë e mjeteve rrugore sipas llojit, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat” (80,8 %), “Automjetet për transport të përzier” (6,0 %) dhe “Motor” (5,7 %).

Në tremujorin e tretë të vitit, numri më i lartë i mjeteve rrugore është në qarkun e Tiranës, duke zënë 34,9 % të mjeteve rrugore gjithsej në vend, pasuar nga qarku i Durrësit me 13,5 % të mjeteve rrugore gjithsej.

Qarqet me numrin më të vogël të mjeteve rrugore janë qarku i Gjirokastrës me 2,2 % dhe qarku i Kukësit me 2,3 % të mjeteve rrugore gjithsej.
“Mercedez Benz” vijon të mbetet “mbreti i rrugëve” me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve rrugore me 18,0 %, e ndjekur nga marka “Volkswagen” me 16,3 % dhe “Daimler Chrysler” 8,2 %.

Sipas të dhënave gjatë tremujorit të tretë të vitit, janë regjistruar për herë të parë 26.183 mjete rrugore. Në kategorinë e mjeteve rrugore sipas llojit të regjistruar për herë të parë, përqindjen më të madhe e zën “Autoveturat” me 84,8 % dhe “Motor” me 7,9 %.

Numri më i lartë i mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë, është në qarkun e Tiranës, duke zënë 38,9 % ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend në tremujorin e tretë 2024.
Qarqet me numrin më të vogël të mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë, janë qarku Gjirokastër me 1,4 % dhe qarku Dibër me 2,1 %.

Marka “Volkswagen” po preferohet më së shumti këto kohë sepse është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë me 21,4 %, e ndjekur nga marka ““Mercedez Benz” me 17,6 %./ekofin.al
