Kostot e jetesës për familjet shqiptare vijojnë të rriten. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, inflacioni në muajin korrik 2026 arriti në 3.4%, nga 2.5% që ishte në të njëjtin muaj të një viti më parë. Krahasuar me qershorin, çmimet e konsumit u rritën me 0.2%, duke konfirmuar se presionet inflacioniste mbeten të pranishme edhe në kulmin e sezonit turistik.
Pesha më e madhe në rritjen e kostos së jetesës ka ardhur nga ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat kontribuuan me 1.18 pikë përqindje në inflacionin vjetor. Pas tyre renditen qiratë, uji, energjia elektrike, gazi dhe karburantet e tjera me 0.83 pikë përqindje, ndërsa transporti dha një ndikim prej 0.52 pikë përqindje. Rritje kanë shënuar edhe mobiliet dhe mirëmbajtja e shtëpisë, restorantet dhe shërbimet e akomodimit, kujdesi personal, argëtimi, arsimi dhe shërbimet financiare. Në kahun tjetër, vetëm veshjet dhe këpucët, si edhe informacioni dhe komunikimi, kanë ndikuar në uljen e lehtë të inflacionit.
Të dhënat tregojnë se transporti ka regjistruar rritjen më të fortë të çmimeve gjatë një viti, me 8%, duke reflektuar shtrenjtimin e lëvizjes së qytetarëve. Pas tij renditen grupi i argëtimit, sportit dhe kulturës me 6%, sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.5%, si dhe qiratë, energjia dhe karburantet me 4.1%. Ndërkohë, ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 3.5%, duke goditur drejtpërdrejt buxhetet familjare, pasi zënë peshën më të madhe në shportën e konsumit.

Edhe në krahasim me muajin qershor, transporti rezulton grupi me rritjen më të madhe mujore të çmimeve, me 4.7%, ndërsa janë rritur edhe kostot e qirasë, energjisë dhe karburanteve me 0.6%, si dhe ato të argëtimit dhe mobilieve. Në të kundërt, gjatë korrikut janë ulur çmimet e informacionit dhe komunikimit, veshjeve dhe këpucëve, ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, si edhe të pijeve alkoolike dhe duhanit.
Rritja e inflacionit në 3.4% shënon një përshpejtim të ritmit të shtrenjtimit të jetesës krahasuar me një vit më parë dhe vjen në një periudhë kur ekonomia shqiptare po përjeton një sezon të fortë turistik. Megjithatë, të dhënat tregojnë se familjet shqiptare vijojnë të përballen me kosto më të larta, veçanërisht për shpenzimet bazë si ushqimet, energjia, strehimi dhe transporti, duke ushtruar presion mbi fuqinë blerëse të të ardhurave të tyre. /ekofin.al
