Transporti detar i pasagjerëve në Shqipëri për tremujorin e tretë të vitit 2024 ka qenë në shifra të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, 950.100 persona është numri i personave që kanë lëvizuar në portet e Durrësit, Sarandës dhe Vlorës. Porti i Durrësit është porti nga i cili kanë udhëtuar 44,0 % e pasagjerëve, ndjekur nga porti i Sarandës me 41,2 % dhe më pas porti i Vlorës me 14,8 %.
Numri i anijeve të hyra dhe të dala nga portet në vend rezulton 238 anije, nga këto 220 anije janë të huaja dhe 18 anije vendase. Sipas statistikës numri i këtyre anijeve është rritur me 29,3 %, ku numri anijeve të huaja është rritur me 35,0 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2023.

Në Shqipëri operojnë katër porte detare të cilët shërbejnë për transport mallrash: Porti i Durrësit, i Vlorës, i Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë). Porti i Durrësit është porti kryesor në vend prej të cilit gjatë tremujorit të tretë 2024, janë transportuar 94,5 % e volumit të mallrave të transportuar me det, ose 1.818 mijë tonë mallra. Volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rritur me 12,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tremujorin e tretë 2024, volumi i mallrave të tregtuara me det (eksport dhe import), është 1.433 mijë ton. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, ky tregues është rritur me 9,5 %.
Volumi i mallrave të eksportuara me det në tremujorin e tretë 2024 zë 42,6 %, ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të eksportuara. Volumi i mallrave të importuara me det në tremujorin e tretë 2024 zë 63,3 %, ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të importuara. /ekofin.al

