Transporti ajror në Shqipëri ka vijuar ritmin e fortë të rritjes edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, me një numër rekord pasagjerësh dhe një zgjerim të ndjeshëm të aktivitetit të fluturimeve. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë periudhës prill-qershor kanë udhëtuar me linja ajrore 3.858.055 pasagjerë, ose 26,4% më shumë krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025, kur u regjistruan 3.052.511 pasagjerë.
Rritja e kërkesës është shoqëruar edhe me zgjerimin e aktivitetit të kompanive ajrore. Në tremujorin e dytë operuan 33 shoqëri ajrore të huaja, nga 29 që ishin një vit më parë. Numri i fluturimeve u rrit në 23.216, kundrejt 18.458 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në hapësirën ajrore shqiptare u regjistruan gjithsej 121.684 avionë, ku 80,9% e tyre ishin mbikalime.
Ndryshe nga ecuria shumë pozitive e transportit të pasagjerëve, segmenti i mallrave ka shfaqur dobësim. Volumi i mallrave dhe postës të transportuara me rrugë ajrore arriti në 704 tonë, me një rënie prej 11,9% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025. Nga ky volum, 74,6% përbëhej nga mallra të hyrë në vend dhe 25,4% nga mallra të dalë.
Edhe tregtia ndërkombëtare e mallrave me transport ajror ka shënuar tkurrje. Sipas INSTAT, eksportet dhe importet e mallrave me ajër arritën në 556 tonë, me një rënie prej 4,7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pesha e importeve me rrugë ajrore mbetet shumë e vogël, duke zënë vetëm 0,02% të volumit total të mallrave të importuara në Shqipëri.
Shifrat konfirmojnë se rritja e transportit ajror në Shqipëri po mbështetet kryesisht nga zgjerimi i lëvizjes së pasagjerëve, e lidhur me sezonin turistik, shtimin e destinacioneve dhe frekuencave të fluturimeve. Në të njëjtën kohë, transporti ajror i mallrave vazhdon të mbetet një segment me peshë të kufizuar dhe me luhatje nga një tremujor në tjetrin./ekofin.al

