Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2024 (CPI) tregon se korrupsioni është një problem i rrezikshëm në çdo pjesë të botës, por ndryshimi për mirë po ndodh në shumë vende. Shqipëria ka fituar 5 pikë në këtë renditje, krahasuar me vitin 2023, siguruar 42 pikë në indeks nga 100 të mundshmet dhe duke u renditur në vend të 80-të nga 180 shtete. Ky është edhe pozicioni më i mirë i siguruar nga Shqipëria në historikun e raporteve të perceptimit të korrupsionit nga TI.
CPI rendit 180 vende dhe territore në mbarë botën sipas niveleve të tyre të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik. Rezultatet jepen në një shkallë nga 0 (shumë e korruptuar) deri në 100 (shumë e pastër).
Në vend të parë rezulton Danimarka me 90 pikë, e pasuar nga Finlanda me 88 pikë dhe Singapori me 84 pikë.
Raporti vlerëson se mungesa e kontrolleve efektive kundër korrupsionit ka bërë që 15 nga 19 vendet në rajon e Europës Lindore kanë ngecur ose kanë rënë, pasi qeveritë nuk arrijnë të zbatojnë as masat më elementare kundër korrupsionit. Si shembull pozitiv rritjeje përmendet Kosova, e cila ka kaluar edhe Shqipërinë në renditje.

Shumë shtete kanë ligje të pamjaftueshme që kontrollojnë financimin politik, zbulimin e lobimit ose transparencën e pronësisë përfituese – disa nuk kanë fare.
Qeveritë injorojnë kryesisht interesin publik, duke përdorur legjislacion të veçantë për të shmangur kontrollet mbi investimet strategjike me vlerë të lartë. Qeveria e Shqipërisë (42 pikë), për shembull, ka lidhur marrëveshje të dyshimta të investimeve të huaja me vlerë miliarda dollarë amerikanë, duke rrezikuar shkatërrimin e deltës së çmuar të lumit Vjosa, thekson Transparency International.
Megjithatë, thuhet në raport, në Shqipëri, prokuroria dhe gjykatat e specializuara kundër korrupsionit (SPAK) kanë fituar besimin e qytetarëve pasi kanë dënuar ish-ministra, deputetë dhe kryebashkiakë. SPAK vazhdon të hetojë një ish-president, ish-kryeministër dhe zyrtarë të tjerë të lartë publikë. /ekofin.al

