Nga 46 kontrata aktive për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore, në 9 raste nuk ishin kryer kontrolle, ndërsa tre prej subjekteve të pamonitoruara kishin problematika dhe detyrime financiare që së bashku arrinin në rreth 66.2 milionë lekë. Situata vjen në një vit kur niveli i realizimit të planit të monitorimit ra në 63%, nga 77% një vit më parë, ndërsa plani i vitit 2024 ishte miratuar me tetë muaj vonesë. Këto janë disa nga gjetjet e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në vitin 2023, Ministria e Bujqësisë kishte planifikuar kontrollin e 39 kontratave dhe realizoi monitorimin e 30 prej tyre, ose 77%. Në vitin 2024 u planifikuan 41 kontrata, por u kontrolluan vetëm 26, ose 63%. Pra, niveli i realizimit të planit ra me 14 pikë përqindjeje brenda një viti.
Sipas KLSH-së, një nga arsyet kryesore ishte miratimi me vonesë i planeve. Plani i vitit 2023 ishte miratuar me tre muaj vonesë, ndërsa ai i vitit 2024 me tetë muaj vonesë. Për rrjedhojë, për vitin 2024 Ministria kishte planifikuar monitorimin e 41 kontratave praktikisht vetëm gjatë periudhës shtator-dhjetor, ndërkohë që struktura përgjegjëse kishte edhe mungesa në staf.
Rëndësia e monitorimit lidhet drejtpërdrejt me kontrollin e pagesës së qirasë, zbatimin e investimeve të premtuara, penalitetet dhe garancitë kontraktore. Pikërisht mes kontratave të pakontrolluara kishte subjekte me detyrime të konsiderueshme.
Një prej subjekteve rezultonte me rreth 38 milionë lekë detyrime nga qiraja, penalitetet dhe mosrealizimi i investimit; një tjetër me 22.7 milionë lekë për qira dhe penalitete; ndërsa një i tretë me rreth 5.5 milionë lekë për mosrealizim investimi. Vetëm këto tri raste arrijnë së bashku në rreth 66.2 milionë lekë.
KLSH thekson se këto tri subjekte ishin planifikuar për monitorim në vitin 2024, por kontrollet nuk u realizuan për shkak të miratimit të vonuar të planit dhe mungesës së stafit.
Auditimi nxjerr në pah edhe një tjetër hallkë të munguar: struktura përgjegjëse nuk kishte hartuar raportet e hollësishme vjetore për respektimin e kushteve të çdo kontrate dhe nuk ia kishte paraqitur ministrit brenda afatit të përcaktuar. Rregullat kërkojnë që për çdo kontratë të hartohet raport dhe t’i paraqitet titullarit brenda datës 20 janar.
Problemi i monitorimit bëhet më i rëndësishëm në kontekstin e detyrimeve të përgjithshme nga tokat shtetërore me qira. Në fund të vitit 2024, detyrimet e qiramarrësve kishin arritur në 775.1 milionë lekë, nga 726.3 milionë lekë një vit më parë, ku pjesa kryesore lidhej me investimet e parealizuara dhe penalitetet./ekofin.al
