Vizitat në qendrat shëndetësore në Shqipëri janë rritur lehtë gjatë vitit 2025, por ritmi i rritjes ka qenë dukshëm më i lartë në zonat rurale dhe malore krahasuar me qytetet.
Të dhënat e raportit vjetor 2025 të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë kryer gjithsej 7,386,940 vizita në kujdesin shëndetësor parësor, ose 84,195 vizita më shumë se në vitin 2024, çka përkthehet në një rritje prej rreth 1%.
Sipas raportit, pjesa më e madhe e vizitave vazhdon të kryhet në zonat urbane. Në vitin 2025, në qytete u realizuan 5,038,593 vizita, ndërsa në zonat rurale 2,348,347 vizita. Megjithatë, krahasimi me vitin 2024 tregon se rritja më e fortë ka ardhur nga zonat rurale. Vizitat në qytete u shtuan vetëm me 5,923 raste, ose rreth 1%, ndërsa në zonat rurale u rritën me 78,272 vizita, ose rreth 3%.
Raporti evidenton edhe ndryshime sipas ndarjes gjeografike. Vizitat në bashki kanë shënuar ulje me rreth 60 mijë vizita gjatë vitit 2025, ndërsa në komunat fushore dhe kodrinore janë rritur me rreth 59 mijë vizita. Ndërkohë, në komunat malore dhe thellësisht malore është regjistruar një rritje prej rreth 19 mijë vizitash, ose afro 4% më shumë se një vit më parë. Në total, në këto zona janë realizuar 464,148 vizita në vitin 2025, nga 444,788 vizita në vitin 2024.
Rritja e kërkesës për shërbime shëndetësore vjen në një kohë kur sistemi mbështetet në 1,522 mjekë të përgjithshëm dhe të familjes, 316 mjekë specialistë dhe 6,653 infermierë e laborantë në të gjithë vendin. Popullsia e deklaruar që mbulohet nga mjekët e familjes arrin në 3,917,834 banorë, nga të cilët 2,150,571 jetojnë në zona urbane dhe 1,767,263 në zona rurale.
Të dhënat tregojnë se ngarkesa e mjekëve mbetet e lartë. Vetëm gjatë vitit 2025, nga mjekët e familjes janë kryer 6,451,206 vizita, ndërsa 935,734 vizita janë realizuar nga mjekët specialistë në qendrat e specialiteteve në Tiranë. Mesatarja ditore e vizitave ka qenë rreth 17 vizita në ditë për mjek.
Raporti i FSDKSH-së tregon gjithashtu se kujdesi parësor vijon të zërë një pjesë të rëndësishme të financimit shëndetësor. Shpenzimet për kujdesin shëndetësor parësor arritën në 13,7 miliardë lekë gjatë vitit 2025, ose 1,4 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin 2024. /ekofin.al

