Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve do të kryejë një investim në zonën turistike të Gjirit të Lalzit dhe fshatrat Rrotull, Fushë Draç dhe Shënpjetër të cilët do të furnizohen me ujë 24 orë. Ky dikaster ka hapur tenderin me fond limit prej rreth 198.5 mln lekë për rikonstruksion e rrjetit ekzistues në këtë zonë.
Në dokumentet e tenderit specifikohet se aktualisht ky rrjet është tejet i amortizuar, teksa pas ndërhyrjes synohet edhe përmirësimi i cilësisë së ujit, si dhe ulja e humbjeve në rrjet, duke parashikuar disa matësa zonalë si dhe instalimin e kasetave për matësave të ujit për shtëpitë private.
Në zonën ku shtrihet projekti ka disa komplekse turistike, me vila 1-2 kate, si dhe banesa private 1-3 kate në zonën rurale përreth, ndërsa popullsia llogaritet në 6,000 banorë. Tenderi për kompanitë e interesuar do të qëndrojë I hapur deri në datën 11 shtator, ndërkohë që afati i zbatimit të punimeve do të jetë 12 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
