Kryeqyteti shqiptar do të mikpresë të premten Forumin më të Madh të Investimeve Shqipëri–Turqi 2025, organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) në bashkëpunim me MÜSİAD Albania.
Ngjarja do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, duke nisur nga ora 09:00, dhe pritet të mbledhë mbi 1,500 pjesëmarrës, përfshirë më shumë se 500 investitorë nga Turqia dhe rajoni.
Platformë për bashkëpunim ekonomik dhe investime të reja
Forumi synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe të nxisë investime të ndërsjella në sektorë me potencial të lartë zhvillimi.
“Ky forum është një platformë e rëndësishme për promovimin e potencialeve të Shqipërisë si destinacion i qëndrueshëm investimi dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve,” — u shpreh Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, znj. Laura Saro.
Në aktivitet do të marrin pjesë Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, dhe Zëvendëspresidenti i Turqisë, z. Cevdet Yilmaz, së bashku me ministra, drejtues institucionesh publike dhe organizata biznesi nga të dy vendet.
Fokusi i Forumit: katër sektorë strategjikë
Diskutimet dhe panelet tematike do të përqendrohen në katër fusha me ndikim të lartë për ekonominë shqiptare:
• Ndërtimi dhe infrastruktura
• Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit / BPO
• Turizmi dhe shërbimet mbështetëse
• Bujqësia dhe industria ushqimore
Përveç sesioneve plenare, forumi do të ofrojë takime të drejtpërdrejta B2B dhe B2G, që do të mundësojnë krijimin e partneriteteve të reja mes bizneseve shqiptare dhe turke, si dhe nxitjen e projekteve konkrete investimi.
Një urë e re bashkëpunimi Shqipëri–Turqi
Shqipëria dhe Turqia ruajnë marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike e tregtare, me një volum tregtar dypalësh që ka kaluar 600 milionë euro në vit, ndërsa numri i kompanive me kapital turk në vend po rritet me ritme të shpejta.
Forumi pritet të shërbejë si katalizator për bashkëpunime të reja në sektorë strategjikë, duke e forcuar më tej rolin e Shqipërisë si nyje rajonale për investime dhe prodhim me vlerë të shtuar. /ekofin.al
