TikTok ka rënë dakord t’i paguajë 400 milionë dollarë SHBA-së për t’i dhënë fund një padie ku pretendohej se platforma kishte shkelur privatësinë e fëmijëve. Kjo konsiderohet një nga marrëveshjet më të mëdha të arritura ndonjëherë për këtë çështje.
Marrëveshja lidhet me një padi të ngritur në vitin 2024 nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden. Në padi pretendohej se TikTok dhe kompania mëmë e tij, ByteDance, kishin mbledhur “sasi të mëdha të dhënash” për miliona përdorues nën moshën 13 vjeç.
Një veprim i tillë ishte në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Privatësisë së Fëmijëve në Internet (COPPA), një ligj federal i miratuar në vitin 2000. I njëjti ligj është në qendër të padive që dhjetëra shtete amerikane kanë ngritur aktualisht ndaj kompanisë Meta.
“Fëmijët dhe prindërit janë sot më të mbrojtur se sa ishin kur kjo çështje filloi”, tha zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Brett Shumate.
Kompani të tjera që kanë paguar gjoba ndaj qeverisë amerikane për shkelje të COPPA-s përfshijnë YouTube, në pronësi të Google, e cila në vitin 2019 pagoi 170 milionë dollarë, si dhe Epic Games, e cila në vitin 2022 pagoi 275 milionë dollarë.
Edhe Meta përballet aktualisht me gjoba që mund të arrijnë në qindra miliarda dollarë, lidhur me shkelje të pretenduara të COPPA-s nga prokurorët e përgjithshëm të 29 shteteve amerikane. Një gjyq me juri në këtë çështje nisi këtë javë, ndërsa pronari i Instagramit dhe Facebook-ut akuzohet se ka synuar përdoruesit fëmijë dhe ka përfituar prej tyre.
Edhe pse padia ndaj TikTok-ut daton përpara ndarjes së vitit të kaluar të aktivitetit dhe operacioneve të TikTok-ut në SHBA nga baza e tij fillestare në Kinë, marrëveshja lidhet vetëm me operacionet e TikTok-ut në Kinë.
ByteDance, e cila është një kompani private, së fundmi është vlerësuar nga investitorët në 550 miliardë dollarë.
Sipas kushteve të marrëveshjes, TikTok dhe ByteDance do t’i paguajnë menjëherë 300 milionë dollarë Departamentit të Drejtësisë. 100 milionë dollarët e tjerë do të paguhen kur qeveria të tërheqë një marrëveshje të vitit 2019 me Komisionin Federal të Tregtisë (FTC).
Si pjesë e marrëveshjes, paraardhësja e ByteDance, Musical.ly, ishte detyruar të paguante një gjobë prej 5.7 milionë dollarësh për shkelje të COPPA-s dhe të garantonte se do të kërkonte pëlqimin e prindërve për çdo përdorues nën moshën 13 vjeç.
Departamenti i Drejtësisë nuk dha të premten detaje për ndonjë masë tjetër ndaj TikTok-ut përtej gjobës. Megjithatë, departamenti theksoi se që nga ngritja e padisë, TikTok ka “pësuar ndryshime të rëndësishme”, përfshirë ndryshime në pronësi, praktikat e privatësisë dhe kontrollet e platformës për përdoruesit e rinj.
Kur u ngrit padia, avokatët e SHBA-së thanë se TikTok kishte më shumë se 170 milionë adoleshentë që e përdornin platformën dhe se aplikacioni ishte “i orientuar drejt fëmijëve”. Megjithatë, sipas tyre, TikTok nuk arrinte të përcaktonte në mënyrë efektive moshën e përdoruesve dhe nuk merrte pëlqimin e prindërve për përdoruesit nën moshën e lejuar.
Në vitin 2024, ish-presidenti Joe Biden kërkoi që TikTok të ndalohej në SHBA ose që kompania të shiste aktivitetet e saj amerikane. Presidenti Donald Trump më pas mbështeti shitjen e aktivitetit të aplikacionit, e cila u realizua vitin e kaluar.
Aktualisht, aktivitetet e TikTok-ut në SHBA janë 81% në pronësi të një konsorciumi investitorësh, ndërsa ByteDance mban një pjesëmarrje prej 19%.
Një përfaqësues i TikTok-ut nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për koment./Përshtati nga BBC, ekofin.al
