Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Kanadaja kërkon “përfitimet e të qenët një shtet, pa qenë i tillë”, pasi bisedimet tregtare mes dy vendeve dështuan të premten në mbrëmje.
Në komentet e tij të para që prej prishjes së negociatave, e cila solli tarifa të reja amerikane prej 50% për një sërë mallrash kanadeze, Trump tha gjithashtu se fermerët amerikanë janë ngarkuar prej vitesh me “shuma të jashtëzakonshme tarifash”.
Deklarata vjen pasi kryeministri kanadez Mark Carney i cilësoi tarifat e reja si një “llogaritje të gabuar”, të krijuar për të “na dëmtuar dhe përçarë”.
Carney konfirmoi se Kanadaja do t’u përgjigjet tarifave të Trump “dollar për dollar” duke nisur nga 8 shtatori, përfshirë tarifa mbi çelikun, produktet e bulmetit, pajisjet elektroshtëpiake dhe elektronikën.
Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja ndodhen tashmë në një “luftë” tregtare, tha ai.
“Ata kërkuan shumë dhe ofruan shumë pak”, deklaroi Carney të shtunën. “Je në luftë kur sulmohesh. Ne u sulmuam”, shtoi ai.
Komentet e fundit të Trump i bëjnë jehonë deklaratave të tij të përsëritura për ta bërë Kanadanë “shtetin e 51-të” të Amerikës që prej rikthimit të tij në detyrë, një ide që ka shkaktuar pakënaqësi mes drejtuesve dhe qytetarëve kanadezë.
Dështimi i bisedimeve tregtare ka tronditur një marrëdhënie ekonomike shumë të integruar mes dy vendeve, ndërsa për momentin nuk ka një rrugë të qartë drejt zgjidhjes.
“Nuk mund të pranojmë atë që na kanë ofruar dhe nuk do t’u japim atë që kanë kërkuar”, tha Carney.
Në fillim të javës, të dyja vendet ishin optimiste për arritjen e një marrëveshjeje, por negociatat u shembën pasi secila palë akuzoi tjetrën për ndryshime të minutës së fundit.
Tarifat e reja amerikane prej 50% do të zbatohen për një gamë mallrash kanadeze, krahas tarifave ekzistuese të SHBA-së mbi çelikun, aluminin, automjetet dhe lëndën drusore nga Kanadaja.
Megjithatë, ato kanë një shtrirje të kufizuar dhe prekin rreth 20 miliardë dollarë importe kanadeze, ose afërsisht 5% të totalit. Mes produkteve të prekura janë vera, bulmeti, çimentoja, veshjet dhe pajisjet e hokejit.
Kryeministri kanadez tha se vendi po kundërpërgjigjet “me ngurrim”, për të mbrojtur interesat e tij. Detajet e kundërmasave do të publikohen në ditët në vijim.
Edhe drejtues të partive të tjera federale në Kanada, përfshirë opozitën konservatore, kanë mbështetur kryeministrin, ashtu si edhe disa drejtues provincialë.
Tarifat – taksa të vendosura mbi importet nga vende të tjera – kanë qenë një prej shtyllave kryesore të politikës tregtare të Trump. Presidenti amerikan argumenton se ato do të nxisin prodhimin vendas dhe do të krijojnë vende pune në SHBA.
Kritikët, megjithatë, thonë se tarifat kanë rritur çmimet për konsumatorët amerikanë dhe kanë shkaktuar çrregullime e dëme në ekonominë globale.
Fjalimi i Carney të shtunën ishte komunikimi i tij i parë drejtuar kanadezëve pasi të premten vonë njoftoi se marrëveshja nuk do të arrihej, duke akuzuar palën amerikane për “ndryshime të minutës së fundit” që i cilësoi “të padrejta” dhe “joekonomike”.
Negociatorët amerikanë, nga ana tjetër, e akuzuan Kanadanë se kishte paraqitur “kërkesa të reja dhe tërheqje” nga kushtet për të cilat ishte rënë dakord më parë.
Të shtunën, përfaqësuesi amerikan për tregtinë, Jamieson Greer, tha për Fox News se nuk kishte plane për rifillimin e bisedimeve. Ai shtoi se SHBA-ja kishte qenë e gatshme të ulte disa prej tarifave ndaj Kanadasë si pjesë e marrëveshjes që dështoi.
Carney, megjithatë, tha se SHBA-ja kishte paraqitur kushte “të papranueshme” dhe tepër kufizuese, përfshirë kufizimin e aftësisë së Kanadasë për të lidhur marrëveshje të reja tregtare me vende të tjera.
Ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimin se Kanadaja kishte bërë kërkesa të minutës së fundit.
“Ne sqaruam se çfarë ishte në tryezë dhe vazhdimisht mbetëm të zhgënjyer nga përgjigjet”, tha ai.
Doug Ford, drejtuesi i Ontarios, provincës më të populluar të Kanadasë, mbështeti Carney-n dhe tha se Trump “nuk është i besueshëm”.
Kryeministri i British Columbia, David Eby, tha se kërkesa e SHBA-së për kufizimin e aftësisë së Kanadasë për të lidhur marrëveshje të tjera tregtare “do të na reduktonte ekonomikisht në ekuivalentin e shtetit të 51-të”.
“Kjo nuk ka qenë kurrë e pranueshme për kanadezët”, tha Eby.
Edhe lideri i opozitës konservatore, Pierre Poilievre, shprehu mbështetje për Carney-n, duke i cilësuar tarifat e fundit amerikane si “të pajustifikuara”.
Kryeministrja e Quebec-ut, Christine Fréchette, paralajmëroi se tarifat e reja amerikane ka të ngjarë të shkaktojnë humbje vendesh pune.
“Pas këtyre shifrave qëndrojnë njerëz të vërtetë”, tha ajo, duke premtuar masa mbështetëse për sektorët e prekur.
Kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, provincë e pasur me naftë që ka punuar për të forcuar marrëdhëniet me administratën Trump, u bëri thirrje të dyja palëve të rifillojnë bisedimet.
Dështimi i negociatave vjen pas më shumë se një viti bisedimesh tregtare të ndërprera dhe rifilluara disa herë, të cilat u intensifikuan javët e fundit pas një afati të vendosur nga SHBA-ja për arritjen e një marrëveshjeje ose përballjen me tarifa të tjera.
Dy vendet po merrnin pjesë gjithashtu në një rishikim të detyrueshëm të marrëveshjes ekzistuese të tregtisë së lirë të Amerikës së Veriut, të njohur si USMCA, së bashku me Meksikën.
Marrëveshja u nënshkrua nga Trump gjatë mandatit të tij të parë për të zëvendësuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut të vitit 1994.
Ajo mbështet rreth 1.6 trilion dollarë tregti vjetore trepalëshe mes Kanadasë, SHBA-së dhe Meksikës.
Më herët gjatë verës, Kanadaja dhe Meksika kishin kërkuar zyrtarisht rinovimin e USMCA-së edhe për 16 vjet të tjera. SHBA-ja, megjithatë, refuzoi ta rinovonte marrëveshjen në formën e saj aktuale.
I pyetur se si do të ndikonte dështimi i bisedimeve të së premtes te marrëveshja e tregtisë së lirë të Amerikës së Veriut, Carney tha se kjo “sigurisht nuk është një lajm i mirë”. /Përshtati nga BBC, ekofin.al
