Në shënjë solidariteti për shkak të termetit tragjik që ra në Turqi, selia qëndrore e NATO-s në Bruksel, ka ulur gjysmështizë flamujt e 30 vendeve aleate. Flamujt do të qëndrojnë në mes deri nesër në mbrëmje.
Në deklaratën e Misionit të Përhershëm të Turqisë në NATO në rrjetet sociale thuhet se “falënderojmë sinqerisht aleatët tanë për këtë mesazh domethënës dhe solidarizues dhe për ndihmën që i kanë dërguar vendit tonë që nga dje”.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungesku deklaroi se vendet anëtare të NATO-s kanë mobilizuar përpjekjet e ndihmës për të mbështetur ata që kanë nevojë për ndihmë në zonën e tërmetit.
Që kur u bë anëtare e NATO-s në vitin 1952 (vetëm tre vjet pas formimit të saj), Turqia ka qenë një nga partneret më të mëdha të Aleancës, duke i bërë aftësitë dhe përgatitjet e saj një pjesë integrale të komandës dhe strukturës së forcës së Aleancës, me ushtrinë e dytë më të madhe.