Agjencia e Prokurimit Publik ka konstatuar shkelje të ligjit në dy procedura prokurimi të zhvilluara nga Bashkia Shijak, pas një hetimi administrativ të nisur mbi bazën e një ankese nga palë të treta.
Sipas vendimit të APP-së, të siguruar nga ekofin.al, Bashkia Shijak rezulton se nuk ka vepruar në përputhje me disa nene të ligjit “Për prokurimin publik” dhe të rregullave të miratuara nga Këshilli i Ministrave, lidhur me përllogaritjen e fondit limit, hartimin e kërkesave të kualifikimit dhe vlerësimin e operatorëve ekonomikë.
Dokumenti i APP-së tregon se janë verifikuar dy procedura prokurimi, një me procedurë “e hapur” dhe një “e hapur e thjeshtuar”, të dyja të klasifikuara si kontrata publike furnizimi. Në konstatimet kryesore, APP evidenton se autoriteti kontraktor ka shkelur nenin 34 të ligjit nr.162/2020 për prokurimin publik, si edhe nenin 76 të VKM nr.285, datë 19.05.2021, lidhur me mënyrën e përllogaritjes së fondit limit.
Po ashtu, APP konstaton se Bashkia Shijak nuk ka respektuar nenin 77 të ligjit dhe nenin 78 të VKM-së përkatëse, që lidhen me argumentimin e kërkesave të kualifikimit dhe specifikimeve teknike në dokumentet e tenderit. Një tjetër shkelje lidhet me nenin 92 të ligjit për prokurimin publik, që ka të bëjë me vlerësimin e operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në garë.
Për këto mangësi, APP ka propozuar marrjen e masës disiplinore ndaj shtatë personave, duke iu referuar nenit 132, pika 3 të ligjit për prokurimin publik.
Vendimi është marrë më 15 maj 2026 dhe është firmosur në kuadër të verifikimeve administrative që APP kryen mbi procedurat e prokurimit publik, pas ankesave ose indicieve për shkelje të mundshme nga autoritetet kontraktore. /ekofin.al

