Temperaturat e larta përveç anës shëndetësore ka ndikuar edhe anën ekonomike të qytetarëve. Aktualisht janë shtuar shpenzimet për të blerë pajisje freskuese.
Kjo rritje e kërkesës nga qytetarët është përkthyer në fitime më të mëdha për bizneset që merren me tregtimin e këtyre pajisjeve. Bizneset kanë raportuar një shitje rekord të kondicionerëve gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës dhe sipas tyre, interesi i shtuar nga klientët nuk është reflektuar në rritje të çmimeve nga ana e tyre.
Temperaturat e larta e kanë kthyer ajrin e kondicionuar nga një luks në domosdoshmëri. Krahasuar me të dhënat e Censit 2011, censi i vitit 2023 ka treguar një rritje me 27.5% të familjeve që kanë instaluar kondicionerë. Megjithatë, përveç kostos së lartë të blerjes së një kondicioneri, ky i fundit ka një kosto të lartë edhe për sa i takon energjisë elektrike. Sipas të dhënave të fundit nga ERE, rreth 37% e konsumit vjetor të energjisë së një familjeje shkon vetëm për ftohjen dhe ngrohjen e hapësirës.
