Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur të shkurtojë orarin e shërbimit në sportelet që ofrojnë shërbime për qytetarët, për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Me një urdhër të firmosur më 30 qershor 2026 nga kryetari në detyrë i gjykatës, Gerd Hoxha, përcaktohet se për periudhën 6 korrik–31 gusht 2026, sportelet do të qëndrojnë të hapura vetëm nga ora 08:00 deri në 13:00. Jashtë këtij orari nuk do të ofrohet shërbim, me përjashtim të rasteve emergjente.
Sipas gjykatës, kufizimi i orarit synon kujdesin ndaj shëndetit dhe jetës së punonjësve, por edhe të qytetarëve që marrin shërbime pranë sporteleve.
Vendimi thekson se qëllimi është që, pavarësisht ndryshimit të orarit, të garantohet vijimësia, cilësia dhe standardi i shërbimeve të ofruara për qytetarët. Për zbatimin e urdhrit janë ngarkuar Kancelari, Drejtoria e Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar, kryesekretaritë dhe sektorët përkatës.
Urdhri hyn në fuqi menjëherë dhe do të zbatohet nga 6 korriku deri më 31 gusht 2026.
Kufizimi i shërbimit vjen në kohën kur Gjykata e Tiranës përballet prej disa muajsh me një fluks të lartë dosjesh, kjo edhe për shkak të mungesave të gjyqtarëve si pasojë edhe e procesit të vettingut. /ekofin.al


