Shqipëria po përgatitet të zhvillojë një prej aktiviteteve më të rëndësishme ndërkombëtare të dedikuara sipërmarrjes: Java Globale e Sipërmarrjes (Global Entrepreneurship Week – GEW), e cila do të mbahet nga 17 deri më 23 nëntor 2025, nën organizimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia Startup Albania. Iniciativa, që është pjesë e një lëvizjeje globale të mbështetur nga Global Entrepreneurship Network dhe Kauffman Foundation, synon të fuqizojë sipërmarrësit, studentët, bizneset dhe politikat publike që nxisin zhvillimin ekonomik dhe inovacionin.
GEW është një platformë që mobilizon çdo vit mbi 40,000 aktivitete në 200 shtete, duke angazhuar më shumë se 10 milionë pjesëmarrës, ndërsa Shqipëria po rrit vit pas viti rolin e saj në këtë skenë globale.
Nga 30 evente në 2024 te ambicie edhe më të mëdha për 2025
Suksesi i edicionit të vitit 2024—me 30 evente, 46 partnerë dhe mbi 1,200 pjesëmarrës—i ka hapur rrugën një programi shumë më ambicioz për këtë vit, i cili synon të përfshijë më shumë sektorë, më shumë aktorë të ekosistemit të inovacionit dhe një qasje më të thelluar politike e ekonomike drejt transformimit dixhital dhe gjelbërimit.
Motoja që udhëheq GEW 2025 është e qartë: “Një javë. Heqim barrierat, fuqizojmë të gjithë.”
Shtyllat kryesore të GEW 2025: politika, ekosistemi, përfshirja dhe edukimi
GEW Shqipëri 2025 do të shtrihet mbi katër shtylla strategjike të ndërtuara për të adresuar sfidat dhe mundësitë e ekonomisë moderne.
1. Politikat – AI, inovacioni dhe ekonomia e gjelbër
Fokus të rëndësishëm merr integrimi i inteligjencës artificiale, zhvillimi i infrastrukturës për inovacion, përfshirë qytetet inteligjente dhe parqet teknologjike, si edhe mbështetja për ekonominë qarkulluese. Shtylla e politikave adreson gjithashtu tregjet alternative të financimit dhe transformimin digjital të ndërmarrjeve.
2. Ekosistemi – talente, PPP dhe integrim global
Shqipëria synon të forcojë ekosistemin e inovacionit përmes tërheqjes dhe ruajtjes së talenteve, rritjes së aksesit në kapital dhe investime, si edhe përmes partneriteteve publike-private. Një tjetër objektiv është pozicionimi i vendit në ekosistemin global të inteligjencës artificiale.
3. Përfshirja – gratë, të rinjtë, diaspora dhe SDG
Një vend të veçantë zë fuqizimi i grave sipërmarrëse, aksesi në arsim digjital, sipërmarrja ndërbreznore, integrimi i objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe angazhimi i diasporës shqiptare në inisiativa inovative.
4. Edukimi – mentorim, inovacion dhe kërkim shkencor
Programet edukative do të mbështesin trajnimin dhe mentorimin, zhvillimin e mendësisë inovative, aftësimin në AI, si edhe komercializimin e kërkimit shkencor përmes bashkëpunimit me sektorin privat.
Çfarë pritet të sjellë Java Globale e Sipërmarrjes 2025?
Gjatë javës do të zhvillohen dhjetëra aktivitete që synojnë ngritjen e kapaciteteve, krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit dhe shpalosjen e inovacioneve të reja në treg. Ndër aktivitetet kryesore parashikohen: Folës kombëtarë dhe ndërkombëtarë; Leksione nga liderë të biznesit; Sesione për zhvillimin e aftësive dhe mentorim; Vizita në biznese dhe panele me gra sipërmarrëse; Lançime produktesh dhe raporte sektoriale
Thirrja për t’u bërë pjesë: nga bootcamp-e te sponsorimet
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia Startup Albania fton institucionet, kompanitë, organizatat dhe komunitetet inovative që të organzojnë, mbështesin ose sponsorizojnë aktivitetet e GEW 2025. Organizatorët mund të kontribuojnë përmes bootcamp-eve dhe hackathon-eve tematike, paneleve ekzekutive, prezantimeve të programeve dhe nismave, vizitave në kompani, takimeve me industri, sponsorizimit të çmimeve dhe eventeve.
Një platformë për ta çuar sipërmarrjen shqiptare në një nivel tjetër
Java Globale e Sipërmarrjes 2025 pritet të shërbejë si pikë takimi për aktorët më të rëndësishëm të sipërmarrjes dhe inovacionit në Shqipëri dhe rajon. Me fokus të fortë te politika të orientuara drejt inovacionit, rritjen e ekosistemit dhe fuqizimin e brezave të ardhshëm, GEW 2025 synon të krijojë një mjedis më të favorshëm për krijimin e bizneseve të reja dhe për gjenerimin e ideve që mund të shndërrohen në histori suksesi. /ekofin.al
