Këshilli i Ministrave me vendimi i kaloi një sërë pronash shtetërore Korporatës së Investimeve Shqiptare për realizimin e projektit madhor “Korpusi i Inspektorateve”, si dhe për zhvillimin e projekteve të tjera investimi me rëndësi publike.
Vendimi autorizon Korporatën të veprojë si zhvillues i këtyre pronave, vetë ose përmes entiteteve të krijuara prej saj, me qëllim ngritjen e strukturave të reja që do të akomodojnë inspektoratet shtetërore dhe agjencitë e lidhura, sipas një standardi të unifikuar dhe bashkëkohor. Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, pritet të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mes KISH dhe institucioneve përfituese për përcaktimin e termave, metodologjisë dhe kushteve të bashkëpunimit.
Në kuadër të këtij procesi, Korporata autorizohet të nisë procedurat konkurruese për përzgjedhjen e partnerëve privatë që do të angazhohen në zhvillimin e pronave të transferuara, përmes formës së sipërmarrjes. Gjithashtu, ajo do të asistojë në hartimin e projektideve arkitekturore në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.
Korporata do të ketë gjithashtu të drejtën e negociatave me subjekte private dhe për të kryer të gjitha procedurat ligjore dhe teknike për konsolidimin dhe regjistrimin e pronave. Në rast se për realizimin e projekteve kërkohet lirimi i ambienteve të zëna aktualisht nga institucionet, këto të fundit do të zhvendosen vetëm pas sigurimit të hapësirave të përkohshme të përshtatshme për vazhdimin e punës së tyre.
Janë një sërë institucionesh që do të preken Inspektorati i Përgjithshëm, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSSHSH), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB), Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP), Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet (ZMR), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat Minerare (AKSEM), Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKPMB), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP).
