Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi dhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja kanë nënshkruar një udhëzim të përbashkët “Për miratimin e licencës standarde të ripërdorimit të informacionit të sektorit publik”, e cila ka hyrë sot në fuqi, duke u botuar në Fletoren Zyrtare.
Udhëzimi ka për qëllim miratimin e licencës standarde për ripërdorimin e të dhënave të hapura në Republikën e Shqipërisë. Ripërdorimi i të dhënave të hapura/dokumenteve të organeve të sektorit publik dhe sipërmarrjeve publike si rregull është i hapur dhe vendosja e kushteve bëhet në rastet e justifikuara për interesin publik.
Qëllimi i licencës së të dhënave të hapura të organeve të sektorit publik dhe sipërmarrjeve publike, për përdorimin e materialeve me të dhëna të hapura, është të ofrojë siguri juridike që të dhënat që janë objekt i licencës mund të përdoren lirisht nga të gjithë në çdo mënyrë të mundshme, me kushtin kryesor, që burimi i të dhënave, të përmendet në mënyrën që kërkohet në licencë.
Licenca standarde përcakton kushtet, të drejtat dhe kufizimet e ripërdorimit të të dhënave të hapura /dokumenteve për printimin, kopjimin, përpunimin e të dhënave, lejimin ose jo të transferimit te palët e treta, kërkesat për respektimin e pronësisë intelektuale, mbrojtjen e të dhënave personale për zbatimin e parashikimeve të ligjit nr. 33, datë 31.3.2022, “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”.
Udhëzimi prek organet e sektorit publik, për ripërdorimin e dokumenteve ekzistuese që mbahen prej tyre, në kuadër të detyrës publike, si edhe sipërmarrjet publike, për ripërdorimin e dokumenteve ekzistuese që mbahen prej tyre, në kuadër të shërbimeve që ato ofrojnë, për qëllime tregtare ose jo, të ndryshme nga qëllimi fillestar për të cilin dokumenti është krijuar.
Licenca bazohet në praktikat dhe udhëzimet e BE-së, do të jetë në format elektronik dhe do të shoqërojë informacionin që do të publikohet nga organet e sektorit publik dhe sipërmarrjet publike në faqet e tyre zyrtare dhe në portalin opendata.gov.al.
Organet e sektorit publik dhe sipërmarrjet publike do të bashkëpunojnë me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) lidhur me implementimin e licencave në formatin elektronik, për dokumentet në formatin e të dhënave të hapura, në faqet e tyre zyrtare dhe në portalin opendata.gov.al, ripërdorimi i të cilave kërkon aplikimin e licencës standarde. /ekofin.al