Administrata Tatimore ka intensifikuar kontrollet ndaj bizneseve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit, duke u përqendruar këtë herë në Vlorë, një nga zonat me aktivitetin më të lartë turistik gjatë sezonit veror.
Në kuadër të Planit Sektorial të Turizmit 2026, Task Forca e Terrenit ka kontrolluar 16 subjekte në Vlorë, të përzgjedhura mbi bazën e analizës së riskut. Nga verifikimet janë konstatuar në total 39 shkelje të legjislacionit tatimor, ose mesatarisht më shumë se dy shkelje për çdo subjekt të kontrolluar.
Problematikat e evidentuara lidhen me moslëshimin e faturës tatimore dhe të autofaturës, tregtimin e mallrave pa faturë, punonjës të padeklaruar, mosafishimin e listës së çmimeve, si dhe mungesën e dokumentacionit të kërkuar nga legjislacioni.
Kontrollet kanë sjellë gjithashtu ndryshimin e regjimit tatimor për një prej bizneseve. Sipas Administratës Tatimore, një subjekt ka kaluar në regjimin e TVSH-së, pas verifikimeve të kryera në terren.
Ndërkohë, kontrollet nuk janë kufizuar vetëm te konstatimi i shkeljeve. Task Forca ka sekuestruar 8 pajisje kompjuterike dhe një regjistër hoteli, të cilat do t’u nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme nga strukturat përkatëse të Administratës Tatimore.
Kontrollet vijnë pas një faze dymujore informimi dhe sensibilizimi të bizneseve që operojnë në sektorin e turizmit. Pas kësaj periudhe, administrata ka kaluar në verifikimet në terren, me fokus evidentimin e parregullsive, parandalimin e evazionit fiskal dhe formalizimin e aktivitetit ekonomik.
Sektori i turizmit mbetet një nga fushat në fokus të kontrolleve tatimore, veçanërisht për problematika që lidhen me deklarimin e xhiros, fiskalizimin, punësimin informal dhe dokumentimin e mallrave dhe shërbimeve.
Administrata Tatimore u ka bërë thirrje gjithashtu qytetarëve të raportojnë rastet e shkeljeve tatimore përmes aplikacionit “Denonco Evazionin”, duke theksuar se formalizimi i ekonomisë dhe respektimi i detyrimeve tatimore janë të rëndësishme edhe për garantimin e konkurrencës së ndershme mes bizneseve./ekofin.al
