Tatimet u bëjnë thirrje kompanive ndërkombëtare që ofrojnë shërbime elektronike personave të patatueshëm të plotësojnë vullnetarisht detyrimet e tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në një njoftim publik i ka nxitur këto kompani të caktojnë përfaqësues tatimor në Shqipëri dhe të ngarkojnë 20% TVSH në shitjet e tyre.
Më herët këtë muaj, pas blogersave dhe influencersave të rrjeteve sociale, si edhe qiradhënësve që përdorin platformat Booking dhe Airbnb, tatimet vunë në fokus kompanitë ndërkombëtare që veprojnë në platforma digjitale në vendin tonë dhe që duhet të paguajnë taksa këtu.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përmes një njoftimi bën me dije se ka nisur një fushatë ndërgjegjësuese dhe informuese për kompanitë ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri dhe kanë detyrimin për t’u regjistruar dhe paguar taksa dhe tatime në vendin tonë.
Në njoftim e mëparshëm Tatimet kishun nisur komunikimi me katër shoqëritë më të mëdha ndërkombëtare në fushën e konsulencës dhe shërbimeve financiare, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxitjen e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore.
Tashmë njoftohen kompanitë e shërbimeve elektronike të veprojnë në përputhje me ligjin.
Kjo fushatë e nisur do të vijojë edhe me kompani të tjera ndërkombëtare që operojnë në ekonominë digjitale thuhet në njoftim./ekofin.al

