Tatimet po mbyllin një tjetër vit në tejkalim plani sa i përket mbledhjes së të ardhurave, ndërkohë që nuk po ndodh e njëjta gjë me Doganat, ku ka mosrealizime në disa zëra.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në nëntor 2024, të ardhurat arritën në 32 miliardë lekë, 1,4 miliardë lekë më shumë se plani i muajit, ose 3 miliardë lekë më shumë krahasuar me nëntorin 2023.
Gjatë 11-mujorit 2024, të ardhurat arritën në 370 miliardë lekë, duke tejkaluar me 4,8 miliardë lekë më shumë se plani, ose 46,7 miliardë lekë më shumë krahasuar me 11-mujorin 2023.
Tatimet theksojnë se rezultatet reflektojnë përpjekjet e vazhdueshme të Administratës Tatimore në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe konsolidimin fiskal.
Më herët, tatimet njoftuan se edhe aksioni anti-informalitet është duke dhënë rezultate konkrete.
Sipas të dhënave nga DPT, vetëm për muajin nëntor, Administrata Tatimore ka mbledhur në total 970 milionë lekë më shumë se plani vetëm për kontributet shoqërore dhe të ardhurat personale (TAP).
DPT bën të ditur se, janë 564 milionë lekë më shumë të paguara vetëm për kontributet shoqërore, duke tejkaluar planin e nëntorit 2024. Gjithashtu janë 406 milionë lekë më shumë se plani të paguara vetëm për TAP.
Tatimet i kanë kërkuar edhe njëherë bizneseve të rrisin vetëdeklarimet, si një masë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve për pensione dinjitoze dhe të merituara.