Ashtu siç pritej, viti 2024 ka qenë pozitiv sa i përket mbledhjes së të ardhurave nga tatimet, marrë në konsideratë edhe “të ardhurat e munguara”, që iu kthyen mbrapsht në formë rimbursimi bizneseve që ofrojnë shërbime profesionale, pas rrëzimit të nenit përkatës në ndryshimet e ligjit të tatimit për të ardhurat nga Gjykata Kushtetuese dhe aktit normativ të miratuar nga Qeveria në nëntor.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi sot se gjatë vitit 2024, në arkën e shtetit, vetëm nga tatimet, kanë hyrë 405,6 miliardë lekë. Këto të ardhura ishin edhe më të larta se plani, me 5.1 miliardë lekë, si edhe ndjeshëm më të larta se të ardhurat e mbledhura gjatë vitit 2023, ose 48.5 miliardë lekë më shumë.
Vetëm gjatë muajit dhjetor, DPT mblodhi 35,5 miliardë lekë, ose 1,8 miliardë lekë më tepër se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm.
Mbledhja e të ardhurave u shtua ndjeshëm gjatë dy muajve të fundit të vitit edhe si pasojë e aksionit anti-informalitet të nisur nga tatimet në fillim të nëntorit.
Në vitin 2025, të ardhurat projektohet të jenë edhe më të larta, kjo edhe për shkak të implementimit të disa masave në kuadër të zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, 2024-2027. Gjithashtu, edhe efekti i rritjes së pagave, që vitin e kaluar, ishte i pjesshëm, nga 1 korriku 2024, këtë vit do të jetë i plotë. /ekofin.al


