Administrata Tatimore ka nisur kompensimin e operatorëve të transportit publik për rritjen e çmimit të karburantit, pas përfundimit më 1 gusht 2026 të procesit të aplikimit për përfitimin nga skema.
Sipas sqarimit të bërë nga Administrata Tatimore, në total janë 95 subjekte që kanë aplikuar dhe po përfitojnë kompensim, ndërsa fondi që do të shpërndahet për shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës arrin në 110.7 milionë lekë.
Kjo shumë nuk përfshin operatorët e transportit qytetës të Tiranës, pasi kompensimi i tyre mbulohet nga Bashkia e Tiranës.
Administrata Tatimore sqaron se numri i subjekteve që kanë aplikuar pranë saj për t’u kompensuar nga Bashkia e Tiranës është 20, ndërsa vlera përkatëse e kompensimit arrin në 66.1 milionë lekë.
Skema synon të zbusë efektin që rritja e çmimit të karburantit ka mbi kostot e operatorëve të transportit publik, duke mbështetur financiarisht shoqëritë që ofrojnë shërbimin e transportit të udhëtarëve.
Procesi i aplikimit tashmë është mbyllur, ndërsa Administrata Tatimore po vijon me procedurat e kompensimit të subjekteve përfituese.
